Modelja kosovare Ziza Pajaziti, e cila në datat 12 dhe 13 qershor 2025 rezulton të ketë hyrë në ambientet e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës në Korçë, ka dëshmuar të gjithë dinamikën që ka sjellë futjen e saj në burg, me qëllim zhvillimin e një takimi me të dënuarin me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu.
Pyetja e Pajazitit është bërë në Prokurorinë e Korçës, e cila ka ndjekur rastin hetimor kundër një gardiani burgu, Perent Lëngut, dhe ish-shefit të Policisë së Burgut të Drenovës, Sokol Koçellit.
Gjatë hetimit të kësaj dosjeje penale, prokuroria nuk mundi të marrë pamjet filmike të plota, pasi, sipas një shkrese “Kthim Përgjigje” nga drejtoria e burgut, materialet filmike të datave 12 dhe 13 qershor 2025 nuk gjendeshin në serverin kompjuterik, pasi ato ruhen vetëm brenda një periudhe 7-ditore dhe më pas fshihen automatikisht.
Në pamundësi për të zbuluar të gjithë dinamikën përmes kamerave të sigurisë, Prokuroria e Korçës është përqendruar tek marrja e dëshmisë së disa prej gardianëve të burgut, si dhe pyetja e vetë protagonistëve kryesorë, Laert Haxhiu, Vladimir Kurti dhe modeles kosovare, Ziza Pajaziti.
Ndërkohë, lidhur me këtë rast, në vijim të veprimeve hetimore, konkretisht është pyetur, në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për veprën penale, i dënuari me burg përjetë Laert Haxhiu, i cili, ndër të tjera, ka deklaruar se: “…në lidhje me rrethanat se si ka hyrë Ziza Pajaziti për të më takuar mua, unë nuk di asgjë për procedurat që ndjek administrata e burgut në raste të tilla. Në dijeninë time, kjo shtetase, në datat për të cilat po më pyesni, ka hyrë normalisht, ashtu si çdo shtetas apo shtetase tjetër që zhvillon takime me familjarët. Mua nuk më ka kontaktuar paraprakisht asnjë punonjës i burgut, por vetëm më kanë shoqëruar në këto dy data për të realizuar takimin. Dua të sqaroj se, në të dyja këto data, kam hyrë në takim, pasi më është njoftuar se kisha takim dhe më kanë shoqëruar për zhvillimin e tij. Në të dyja këto raste, takimet e zhvilluara prej meje kanë qenë takime të zakonshme, pra në një dhomë me tavolinë dhe karrige, dhe jo takime speciale, pra takime të parashikuara për bashkëshortët ose bashkëjetuesit. Nuk e mbaj mend nëse dhomat kanë qenë të pajisura me kamera apo jo, pasi mbaj mend se në atë periudhë dhomat ishin duke u rikonstruktuar, konkretisht po lyheshin…”.
Më tej, Haxhiu ka pohuar se: “…dua të theksoj se çdo gjë ka qenë e zakonshme dhe kam zhvilluar vetëm takime normale me Ziza Pajazitin, e cila aktualisht është bashkëjetuesja ime, me deklaratë noteriale të rregullt, dhe me të cilën kam pasur një marrëdhënie të hershme njohjeje dhe bashkëjetese…”.
Lidhur me këtë skandal është marrë në pyetje dhe i dënuari Vladimir Kurti, i cili ka pohuar se:“…modelen kosovare Ziza Pajaziti nuk e njoh dhe nuk kam realizuar asnjë takim me këtë shtetase. Gjithashtu, nuk kam kërkuar takim me të. Deklaroj se kam rreth 4 muaj që nuk zhvilloj takime familjare…”.










