Vetëm pak minuta pas marrjes së detyrës si ministre e Shëndetësisë, mësohet se Klodiana Spahiu ka larguar nga detyra Arisa Canen, drejtoreshën e Operatorit të Sterilizimit, e cila menaxhon buxhetin e tre shërbimeve të mëdha: sterilizimin, check up-in dhe dializën.
Kujtojmë se Arisa Cane, u emërua në krye të operatorit të shërbimeve të Integruara të Sterilizimit nga ish-ministra Evis Sala në filim të këtij viti. Por edhe pse vetëm pak muaj në krye të detyrës , ajo menaxhoi një buxhet prej dhjetëra miliona eurosh, i cili kulmoi me tenderin 4 vjeçar të dializës.
Teksa kujtojmë se pak para largimit të saj ditën e djeshme, Cane shpalli në Agjencinë fituesin e tenderit 50 milionë euro për privatin që do të ofrojë shërbimin e dializës në katër vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për kompaninë nga Suedia Diaverum, të cilët ishin edhe pjesëmarrësit e vetëm në garë. Ata kështu u shpallën fitues nga Arisa Cane, duke ofruar çmimin 4.44 miliardë lekë ose 48.2 milionë euro.
Kjo ka qenë një ndër arsyet që shtynë Klodiana Spahiun të firmoste largimin e Canes. Sipas kapital.al, kjo procedurë do të vihet në hetim të brendshëm, pasi ministres së re nuk i ka pëlqyer që një kontratë kaq e madhe të kalojë pa "aprovimin" e saj.
