E hënë, 14 Shtator 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Vetëvendosja merr vendimin për të votuar Çitakun dhe Shalën në seancën e së dielës

Ilustrim · Vizion Plus

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur që në seancën e nesërme të Kuvendit të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të kryesisë së kësaj partie, LVV thotë se ky vendim synon të kontribuojë në konstituimin e Kuvendit dhe të shmangë zgjedhjet e reja të parakohshme.

Njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje:

Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme.

U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet!

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve.

Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër.

Në vitin 2025 ne si subjekt fitues me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetë të pakicave i kishim 57 deputetë. Pra vetëm katër deputetë mangu, e duke e zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, plot katër herë e ndryshuam emrin e kandidatit tonë për kryetar kuvendi para se të zgjidhej Dimal Basha me 26 gusht, pesë muaj pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Refuzimi i partive opozitare për Albulena Haxhiun asokohe u pasua edhe me refuzim të Donika Gërvallës, Hekuran Muratit e Arbërie Nagavcit.

E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne.

Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun (e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi), ne do ta votojmë.

Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK.

Taulant Halili
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.