Rreziku nga Inteligjenca Artificiale, drejtuesit e kompanive kryesore të AI kërkojnë ngadalësimin e zhvillimit të teknologjisë

Kërkesa vjen pas shqetësimeve se aftësitë e teknologjisë po ecin më shpejt sesa mundësia për ta kuptuar dhe kontrolluar atë.

13 Shtator 2026 | 01:11

Drejtuesit e disa prej kompanive më të fuqishme të Inteligjencës Artificiale po kërkojnë ngadalësimin e zhvillimit të modeleve më të avancuara. Kërkesa vjen pas shqetësimeve se aftësitë e teknologjisë po ecin më shpejt sesa mundësia për ta kuptuar dhe kontrolluar atë.

Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, bëri thirrje që kompanitë të ulin ritmin me të cilin rrisin aftësitë e modeleve të AI, duke argumentuar se vetëm investimet më të mëdha në siguri nuk janë më të mjaftueshme.

Thirrja e tij mori mbështetjen e drejtuesve të kompanive rivale. Elon Musk, drejtues i xAI, deklaroi se “Dario ka të drejtë”, ndërsa edhe CEO i OpenAI, Sam Altman, u shpreh publikisht në favor të kontrollimit të ritmit të zhvillimit të modeleve më të avancuara.

Amodei propozon që kompanitë kryesore t’u japin ekspertëve të pavarur të sigurisë akses të gjerë për të vlerësuar sistemet e tyre, si dhe vendosjen e standardeve të përbashkëta për industrinë dhe ndërhyrjen e qeverive.

Sipas tij, ngadalësimi do t’u jepte studiuesve dhe autoriteteve më shumë kohë për të ndërtuar mekanizma sigurie përpara se sistemet e AI të bëhen ndjeshëm më të fuqishme.

Shqetësimet janë shtuar edhe pas incidenteve të raportuara së fundmi, ku modele të avancuara të AI kanë kryer veprime kibernetike pa dijeninë e kompanive që i zhvillojnë.

Një nga çështjet që shqetëson Amodei është rritja e aftësisë së Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar në krijimin e gjeneratave të ardhshme të vetë AI-së, proces që mund të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin teknologjik.

Debati ka mbërritur edhe në Kongresin amerikan, ku disa ligjvënës kërkojnë rregulla kombëtare dhe masa të detyrueshme sigurie, duke argumentuar se industria nuk mund të mbështetet vetëm te vetërregullimi.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump është shprehur se nuk ka shqetësime për rreziqet e AI-së së avancuar dhe se shqetësimi i tij kryesor është mundësia që Shtetet e Bashkuara të humbasin garën teknologjike me Kinën.

Thirrjet e drejtuesve të industrisë shënojnë një zhvillim të pazakontë në garën globale të AI-së, pasi kompani rivale po shfaqin një qëndrim të përbashkët se avancimi i teknologjisë duhet të shoqërohet me më shumë kohë dhe mekanizma për kontrollin e rreziqeve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Plot emocione, Celine Dion rikthehet në skenë pas 6 vitesh mungesë (VIDEO)

Këngëtarja Celine Dion mbrëmjen e kësaj të shtune u rikthye ne skenë teksa nisi një turne ku pritet të zhvillojë 26 koncertet. Mbrëmja e sotme shënon rikthimin e...
21:59 | 12/09/2026

Kishin dalë për peshkim, 15-vjeçari shpëtohet në Alaskë pas dy ditësh në varkën e përmbysur. Dy viktima

Një operacion shpëtimi u zhvillua në ujërat e akullta të Detit Bering, pranë brigjeve të Alaskës. Një djalë 15-vjeçar mbijetoi për rreth dy ditë në një varkë...
20:39 | 12/09/2026

Gjykatësi amerikan: Plani i Trump për të përgjysmuar fuqinë punëtore të FEMA-s, ka shkelur ligjin

Një gjykatës amerikan ka vendosur që administrata Trump shkeli ligjin duke urdhëruar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të shkurtojë fuqinë punëtore përgjysmë. Gjyqtarja e...
18:11 | 12/09/2026