E hënë, 14 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 05:11 Në vijim ora 05:11: Hakmarrja e Trëndafilit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Elbasani sjell traditën në qendër të qytetit, artizanati tërheq vendas e turistë

Ilustrim · Vizion Plus

Promovimi i artizanatit dhe folklorit shqiptar, veçanërisht i traditave të qarkut të Elbasanit, ka qenë në fokus të një panairi të zhvilluar në qendër të qytetit.

Artizanë nga Elbasani ekspozuan punimet e tyre, duke sjellë një pjesë të pasurisë kulturore dhe të kostumografisë së trevës së Elbasanit.

Punimet artizanale, nga veshjet popullore e deri te sixhadet, mbulesat dhe punimet dekorative prej druri, tërhoqën vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve.

Të realizuara me fije leshi, pambuku dhe materiale të tjera tradicionale, këto produkte vijojnë të ruajnë vlerat e trashëgimisë kulturore.

Artizanët shprehen se vitet e fundit interesi për punimet tradicionale është rritur, veçanërisht nga turistët e huaj, të cilët i shohin ato si një mënyrë për të njohur kulturën dhe historinë e vendit.

“Unë nuk e kam thjesht hobi këtë punë, e kam profesion. E kam filluar shumë herët. Për brezin tonë, qëndisja ishte një nga lojërat tona kryesore. Më pëlqen të merrem me traditën e veshjeve popullore, duke ruajtur sa më shumë traditën. Vazhdojmë ta ruajmë, mundohemi dhe ta trashëgojmë te vajza. I ka hyrë në gjak punimi artizanal. Puna e dorës vazhdon.”

Nuk munguan as punimet me dru. Pjesë e panairit ishin edhe mjeshtrit e punimeve të drurit, një zanat që po përballet me vështirësi, por që kohët e fundit ka ngjallur interes. Shumë turistë, si të huaj ashtu edhe vendas, kërkojnë enë kuzhine të punuara me dru.

Për drejtuesen e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, panairet mbeten një nga format më të pëlqyera për promovimin e artizanatit, veçanërisht për turistët e huaj.

“Menduam se do të ishte më shumë vend që, krahas festivalit, të zhvillohej edhe një panair, por njëkohësisht kemi edhe një ekspozitë shumë të bukur të fustanellës për të promovuar riprodhimin e veshjeve tona tradicionale, sepse shohim që ka një interes gjithnjë e më të shtuar, si nga të huajt, ashtu edhe nga brezat e rinj”, thotë Erilda Selaj, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.

Në Elbasan, organizimi i panaireve të artizanatit po kthehet tashmë në një traditë, duke krijuar mundësi për promovimin e punimeve artizanale dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.