Rama rikthehet me podcastin “Flasim”: Rezultatet e PISA frut i një pune të gjatë! E nisëm nga fundi, tani jemi të parët

Kryeministri Edi Rama është rikthyer me podcastin “Flasim”, duke nisur sezonin e shtatë me një episod të dedikuar arsimit dhe rezultateve të Shqipërisë në testimin ndërkombëtar PISA 2025.
Në episodin e parë të sezonit të ri, të titulluar “Të reja nga shkolla”, Rama u shpreh se arsimi ishte tema që nuk mund të mungonte në një moment kur përfundon pushimi veror dhe nis një vit i ri shkollor.
Kryeministri u ndal te rezultatet e PISA 2025, duke shprehur kënaqësinë për përmirësimin e Shqipërisë dhe duke ia atribuar këto rezultate, sipas tij, një pune të gjatë dhe një transformimi të sistemit arsimor.
Rama: Një episod i cili nuk mund të mos i kushtohet arsimit në një moment të vitit kur po përfundojnë pushimet, por po përfundojnë dhe përgatitjet e vitit dhe po nis një vit i ri arsimor. Nga ana tjetër nuk mund të rri sot pa e shfrytëzuar edhe këtë rast për të nënvizuar kënaqësinë e jashtëzakonshme për rezultat e testit PISA 2025. Rezultate të cilat janë frut i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, i një përpjekje për të rritur jo thjesht cilësinë e infrastrukturës, as cilësinë e teksteve por cilësinë e administrimit të shkollave. Rezultatet e PISA më parë nuk kanë qenë të tilla.
Ai theksoi se rezultatet e mëparshme të Shqipërisë në testimin PISA nuk kanë qenë në të njëjtin nivel, ndërsa vendi, sipas tij, ka nisur një ngjitje të vazhdueshme në klasifikimin rajonal.
Rama: Shqipqëria e filloi këtë ngjitje drejt majës së klasifikimit në Ballkanin Perëndimor. Ishim të fundi. Sot jemi të parët në matematikë.
Sipas rezultateve të PISA 2025, Shqipëria ka marrë 433 pikë në matematikë, 435 në shkencë dhe 408 pikë në lexim. Krahasuar me vitin 2022, vendi ka përmirësuar rezultatin me 65 pikë në matematikë, 59 në shkencë dhe 50 në lexim.
Në shkencë, Shqipëria renditet e para në rajon, ndërsa në matematikë udhëheq klasifikimin rajonal së bashku me Malin e Zi.




