Një sherr i madh ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Kypselit në Athinë, ku rreth 15 persona janë përfshirë në një përleshje me njëri-tjetrin. Mes personave të përfshirë në konflikt dyshohet se kishte edhe shqiptarë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, në kryqëzimin e rrugëve Lefkados dhe Evelpidon. Shkaqet e përleshjes ende nuk janë bërë të ditura.
Gjatë konfliktit, një 40-vjeçar me origjinë indiane është plagosur me thikë në pjesën e barkut dhe kofshë. Ai është transportuar me ambulancën e EKAB drejt spitalit “Kryqi i Kuq”, ku ka marrë ndihmën mjekësore.
Në lidhje me ngjarjen, policia greke ka arrestuar tre persona, dy shtetas grekë, 26 dhe 30 vjeç, si dhe një shqiptar 36-vjeçar.
Ndaj tyre është ngritur procedim për “lëndim të rrezikshëm trupor në bashkëpunim”.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e konfliktit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.













