Gianni Rodari e botoi versionin e parë të “Il romanzo di Cipollino” në 1951; për ta ribotuar pastaj në 1957 me titullin Le avventure di Cipollino. Në shqip libri u botua për herë të parë në 1958, si Aventurat e Çipolinos, me përkthim të Gjergj Zhejit. Ka qenë një nga librat më të dashur për fëmijët e brezit tim, që u rritën në vitet 1960, me personazhe të paharrueshme si Cipollino-ja vetë, signor Domatja, Vishnjushi, konteshat Vishnje, princ Limoni dhe limonuthët, baron Portokalli, detektivi mister Carrotow dhe qeni i tij Kape-Mbaje. Ilustrimet e mrekullueshme i kam akoma para syve.
Ne lexuesit e Rodarit në Shqipëri nuk e dinim, megjithatë, që libri i tij i Cipollino-s ishte përkthyer në rusisht që në 1953 dhe kish pasur sukses të madh në Bashkimin Sovjetik – ku regjimit i kish shkuar për shtat rrëfimi brilant i një revolte të “zarzavateve të varfra” kundër të fuqishmëve. Në fakt, Rodari ishte anëtar i Partisë Komuniste Italiane dhe një nga propagandistët më të devotshëm (dhe të sinqertë) të kultit sovjetik në Italinë e Pasluftës – duke mbetur i tillë deri në vdekje.
Në Bashkimin Sovjetik Cipollino-ja i Rodarit jo vetëm u shtyp e rishtyp në miliona kopje (nëntë milion, për saktësi), por edhe u përshtat në muzikë, si balet dhe pastaj u realizua si film i animuar (që kushedi është shfaqur edhe në kinemanë e Pallatit të Pionierëve në Tiranë); iu përkthyen edhe vepra të tjera, me po aq sukses, aq sa sot e kësaj dite mbetet shkrimtari italian më popullor në atë vend. Për këtë i detyrohet edhe përkthimeve të shkëlqyera – dhe ndikimit politik e kulturor – të poetit Samuil Marshak (të cilin Gorki e pat quajtur “themeluesi i letërsisë ruse për fëmijë”), që u kujdes me përkushtim për veprën e Rodarit.
Ironikisht, Rodari kish mbetur praktikisht i panjohur në Itali, sa kohë që veprat e tij po botoheshin dhe shpërndaheshin nga shtëpi botuese dhe rrjete të libërshitjes të bashkëlidhura me Partinë Komuniste Italiane, por nuk ishin pritur ngrohtë nga qarqet katolike konservatore; filloi të merrte suksesin dhe famën e merituar në Itali, si autor i klasit të parë për fëmijë dhe të rritur, vetëm pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati në Bashkimin Sovjetik.
Komunistët në Itali e trajtonin Rodarin si përgjigjen e arsyeshme kundër amerikanizimit dhe “vatikanizimit” të letërsisë për fëmijë në vitet 1950 dhe si autorin që po e mësonte brezin e ri të respektonte djersën e ballit të masave punonjëse.
Më lejohet të supozoj se Cipollino-ja erdhi në shqip, në 1958, me nismën dhe miratimin e kujt ishte njohur me veprën dhe suksesin e saj sovjetik; duke e gjykuar ideologjikisht të përshtatshme për publikun edhe në Shqipëri. Nuk di nëse Gjergj Zheji e ka përkthyer nga italishtja, apo drejtpërdrejt nga rusishtja, por prirem të besoj të dytën. Edhe ilustrimet e librit do të kenë qenë ato të botimit rusisht, nga Vladimir Suteev; kushdo mund të bindet, duke klikuar në linkun më lart.
Botimi – dhe suksesi – i Cipollino-s së Rodarit në shqip më konfirmon dy gjëra: (1) që menytë e përkthimeve nga letërsia perëndimore thjesht në shqip rimerrnin zgjedhjet që bënte Moska; çfarë e shndërronte letërsinë e përkthyer në Shqipëri në një kopje – sado të reduktuar dhe të zbehur – të letërsisë së përkthyer në rusishten e viteve 1950; (2) dhe që shumë nga këto përkthime duhet të jenë bërë drejtpërdrejt nga rusishtja, duke trashëguar kështu edhe ndërhyrjet jo të pakta dhe modifikimet që i bënte origjinalit censura sovjetike. Të gjitha këto mund të provohen nëpërmjet krahasimit tekstual.
Rodari-t iu përkthyen në shqip edhe gjëra të tjera, nga Shigjeta e kaltër, te Ç’erë kanë zanatet dhe Libri i gabimeve; nga autorët italianë që shkruanin për fëmijë, konsiderohej si tashmë i miratuar (lexo: i padëmshëm) për lexuesin shqiptar.
Jo vetëm në vitet 1950, por edhe më pas – pas “prishjes” me sovjetikët dhe ndërprerjes graduale të marrëdhënieve kulturore me Moskën, Perëndimi në Shqipërinë totalitare hynte nëpërmjet postbllokut sovjetik – gjë që do të ndihmojë për të kuptuar sa e largët mbetej bota nga Tirana, edhe për ata që dukej sikur e ndiqnin nga afër. Nga ana tjetër, imitimi dhe replikimi i politikave përzgjedhëse sovjetike, në lëmin kulturor, i lejonin shkëmbimet me botën të mbijetonin edhe nën represionin totalitar më të ashpër. Ishte ky ndikim sovjetik, edhe i drejtpërdrejtë edhe i tërthortë, që i solli lexuesit shqiptar kryevepra të tilla si Liza në botën e çudirave, Udhëtimet e Guliverit dhe Djemtë e rrugës Pal; dhe ndoshta edhe letërsinë e Jules Verne-it, e cila gjithashtu kish pasur sukses të jashtëzakonshëm në BRSS (me rreth 20 milion kopje të shitura) dhe të Jack London-it, Theodor Dreiser-it, James Fenimore Cooper-it (I fundmi i mohikanëve), Hemingway-it; ose Lion Feuchtwanger-it, Romain Rolland-it, Henry Barbusse-it e të tjerë. Le të themi se përzgjedhja e veprave dhe autorëve që do të përktheheshin dhe botoheshin në Bashkimin Sovjetik varej sa nga cilësia artistike dhe suksesi në publik, aq edhe nga përdorimi që mund t’u bëhej nga propaganda sovjetike; ose, vice versa, nga fakti pa lidhje që këta autorë kishin qenë ose ishin miq të Bashkimit Sovjetik dhe të regjimit atje.[1]
Tek ne në Shqipëri, sikurse në Bashkimin Sovjetik, romani i Cipollino-s bashkëtingëlloi bukur me ndjeshmëritë rurale të shumë lexuesve të vegjël, të rritur në mjedise dhe tradita “bujqësore”, me kopshte, zarzavate, njerëz të thjeshtë dhe të vuajtur, që mbijetonin me punë të rëndë.
Në vitet kur kishin filluar të depërtonin në Shqipëri imazhet dhe joshjet e televizionit italian, Italia e Cipollino-s ende mund të ofronte një kundërpeshë kognitive, në mos edhe ideologjike. Simpatia për të vegjlit, të harruarit, të mënjanuarit, sado jehonë e sentimentalizmit letrar, u vinte për hosh edhe propagandistëve të regjimit në Tiranë, edhe lexuesve që u përkisnin këtyre shtresave – ose që i kishin bindur se u përkisnin.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Botohet me leje te TemA.
Shënim: për disa të dhëna historike rreth botimit dhe suksesit të librit “Aventurat e Cipollino-s” në Bashkimin Sovjetik jam mbështetur në monografinë e Anna Roberti-t, Cipollino nel paese dei soviet – La fortuna di Gianni Rodari in URSS (e in Russia), 2020 Lindau s.r.l. Për përkthimet e Gianni Rodari-t në shqip kam marrë të dhëna nga artikulli Italian Literature for Children Translated into Albanian 1923 – 1989, i Manjola Sulajt dhe Lindita Rrapës, botuar në Mediterranean Journal of Social Sciences, maj 2015. Për përkthimin, botimin dhe receptimin e teksteve Perëndimore në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 1954-1964 i referohem monografisë A Decade of Euphoria: Western Literature in Post-Stalin Russia, 1954-64, nga Maurice Friedberg. Për temën kam shkruar edhe në librin tim Gjuha e thyer, gjuha që thyen, Botime Çabej, 2019. Imazhi në kopertinë nuk është ilustrim nga libri i përkthyer shqip, por i përket filmit të animuar sovjetik, i cili gjithnjë mund të ndiqet këtu.
[1] Për letërsinë frënge, do të supozoja se një pjesë e udhëzimeve se ç’të përkthehej do të kenë ardhur edhe drejtpërdrejt nga Enver Hoxha, i cili atë letërsi e njihte relativisht mirë.
Lini një Përgjigje