Deputeti I Partisë Demokratike Blendi Himçi ka reaguar për nivelin e shpronësimet që qeveria po aplikon për pronat e fermerëve që preken nga korridori VIII
Sipas tij kjo është një tallje me djersën e bujkut.
Mesazhi:
Sot, bashkë me kryetaren e degës së PD Peqin, Enkelejden, u takuam me fermerët e Grykshit të Madh në Pajovë. Aty ku padrejtësia është bërë ligj dhe dhimbja është bërë ulërimë.
Fermerët denoncuan shpronësimet e tokave bujqësore me një çmim qesharak: 230 lek/m² aq sa kushton një litër naftë sot. Dy vite me tokën e zënë nga trasea e Koridorit VIII, pa shpërblim real, pa mundësi të mbjellin, pa mundësi të ushqehen.
Në vitin 2008, kur u ndërtua rruga nacionale Rrogozhinë–Elbasan, këta fermerë u shpronësuan me 860 lek/m². Sot, në vitin 2026, Edi Rama u thotë: “Merrni 230 lek/m²”. Komike? Jo. Tragjike!
Por padrejtësia nuk mbaron këtu. Fermerët nuk mund të marrin as këtë shpërblim tallës, sepse qeveria u kërkon certifikatën e pronësisë. Për ta nxjerrë, duhet të aplikojnë në ASHK, ku tarifat e regjistrit të pronës janë shumë herë më të larta se vetë vlera e shpërblimit. Pra, jo vetëm që u marrin tokën, por edhe i detyrojnë të paguajnë më shumë se ç’ju japin nëse duan ta marrin dëmshpërblimin!
Boll është boll.
Fermeri nuk është statistikë. Kur i merr tokën pa shpërblim, i merr bukën e fëmijëve. Kur e lë dy vite pa mbjellë, i merr shpresën.
Ky është realiteti i Grykshit të Madh por jo vetëm por dhe i shumë fshatrave që i prek Korridori i VIII. Ky është realiteti i bujqësisë shqiptare.
Një qeveri që shpronëson me çmime tallëse dhe i pengon fermerët të marrin dhe atë shpërblim tallës është një qeveri që shkatërron fshatin.
Femerët duhte të dëmshpëblehen në mënyrë dinjitoze.
© SYRI.net