Marc Márquez triumfon në Misano, barazon Martín dhe rihap luftën për titullin

Marc Márquez triumfon në Misano, barazon Martín dhe rihap luftën për titullin

16:06, 13/09/2026

Marc Márquez ka kompletuar një fundjavë perfekte në Misano, duke fituar edhe garën e së dielës pas triumfit në Sprint. Piloti i Ducati-t siguroi kështu ‘dopietën’ në Çmimin e Madh të San Marinos dhe rihapi plotësisht garën për titullin kampion në MotoGP.

Me këtë fitore, Márquez ngjitet në krye të renditjes së pilotëve, ku tashmë ka 274 pikë, po aq sa Jorge Martín. Ky i fundit u detyrua të kënaqej me vendin e pestë në Misano. Në podium u ngjitën edhe Álex Márquez dhe Pedro Acosta.

Gara nisi me Marco Bezzecchi-n në krye, falë ‘pole position’-it, por italiani pësoi një goditje të rëndë që në xhiron e parë. Bezzecchi humbi pjesën e përparme të motorit mes kthesave 12 dhe 13 dhe u rrëzua, duke e mbyllur menjëherë garën, fatmirësisht pa pasoja fizike.

Problemet për pilotët italianë vazhduan në xhiron e gjashtë, kur Francesco Bagnaia u rrëzua gjithashtu. Një xhiro më vonë, Martín parakaloi Márquez-in dhe mori kryesimin, por piloti i Ducati-t reagoi në xhiron e 12-të dhe riktheu vendin e parë.

Më pas, Álex Márquez iu afrua vëllait të tij, ndërsa Martín humbi terren dhe zbriti jashtë podiumit, duke u parakaluar edhe nga Acosta dhe Fermín Aldeguer. Në fund, Álex tentoi të sulmonte Marc Marquez-in, por lideri nuk i la asnjë hapësirë për parakalim.

Top-5 mbeti i pandryshuar deri në flamurin me kuadrate: Marc Márquez, Álex Márquez, Pedro Acosta, Fermín Aldeguer dhe Jorge Martín.

 

Me fitoren në Misano, Márquez tashmë është lider i përbashkët i kampionatit me Martín-in, ndërsa Bezzecchi mbetet 33 pikë prapa tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco