Avokati Genc Gjokutaj e ka cilësuar përplasjen e fundit institucionale për pagat e gjyqtarëve si një konflikt me sfond të qartë politik.
I ftuar në Syri TV, Gjokutaj deklaroi se Edi Rama po e mban qëllimisht gjallë këtë ngërç, duke e përdorur si një mjet presioni ndaj sistemit të drejtësisë.
Sipas Gjokutajt, problemi nisi pasi pagat e drejtorëve të përgjithshëm u rritën, ndërsa ato të gjyqtarëve, të lidhura me të njëjtin nivel page përmes ligjit, mbetën të pandryshuara.
Pas ankesave dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja u përplas me mosveprimin e Kuvendit dhe me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të ndërhyrë në zbatim të vendimit.
Por për Gjokutajn, ky nuk është thjesht një debat financiar apo institucional.
“Ky është një ngërç të cilin zoti Rama e ngjiz pikërisht tashti, siç po vepron me shumë afera të tjera, pasi siç dihet shtatori ka nisur i mbrapshtë për të.”
Ai e konsideron konfliktin një “skenografi” politike, përmes së cilës Rama synon të krijojë atë që e quan “tymnajë” dhe të zhvendosë vëmendjen nga çështje të tjera politike.
“Zgjidhja e problemeve sipas ligjit i heq Ramës nga dora atë mjetin me të cilin ai krijon tymnajën në kushte krize politike.”
Gjokutaj tha gjithashtu se çështja e pagave mund të përdoret si instrument imponimi ndaj gjyqtarëve.
“Një mënyrë për t’i thënë që shikoni, nëse doni paga, pagat i keni këtu.”
Sipas tij, përplasja mes KLGJ-së dhe qeverisë pritet të rikthehet sërish përpara Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të përcaktojë nëse KLGJ-ja ka zbatuar vendimin kushtetues në kushtet e mosveprimit të Kuvendit apo ka tejkaluar kompetencat.













