Përfaqësimi dhe roli i grave deputete, është rikthyer në qender të debatit publik, nxitur dhe nga një skandal lidhur me shkeljen e kodit të veshjes nga deputete, duke mëpërkëmbur kështu institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit, që është Kuvendi i Shqipërisë. Për më tepër, fokusimi tek "look-u" dhe jo tek puna e tyre si ligjvënëse, ka ulur standardin dhe besueshmërinë e vetë institucionit në sytë e publikut, e sidomos tek brezi i ri. Roli i ligjvënësit lidhet me cilësinë e ligjbërjes, transparencën dhe llogaridhënien ndaj publikut dhe jo me "estetikën personale".
Në kulturat politike evropiane ekziston një "kod i heshtur" i veshjes formale për deputetët e të dyja gjinive.
Në ndryshimet e kodit zgjedhor në 2008 (PD + PS), u fut "lista e mbyllur" për zgjedhjen e deputetëve, si dhe kuota gjinore 30% për gratë. Edhe pse është provuar se është një sistem që zhduku përfaqësimin qytetar dhe ka delegjitimuar deputetët e listës së mbyllur (që i vendos kryetari i partisë dhe nuk i zgjedh qytetari), ky sistem vazhdon të mbahet në dakordësi (PS + PD)!
Por protesta qytetare 105-ditore dhe në masë opinioni publik, e refuzon këtë sistem përjashtues, që përcillet edhe në thirrjen e fuqishme të protestuesve: "Ju nuk na përfaqësoni!"
Nëse i referohemi realitetit në këto 5 raunde të zbatimit të saj, " lista e mbyllur" i jep kryetarit të partisë kontroll absolut mbi zgjedhjen e deputetëve, të cilët mund të rizgjidhen mandat pas mandati, pa pasur nevojë të përfaqësojnë qytetarët, apo të shpalosin vlera personale e performancë legjislative.
Edhe me kuotën gjinore, gratë listohen sipas përzgjedhjes dhe preferencës së Kryetarit të Partisë, jo si rezultat i kontributit publik e politik, apo meritës së mbështetjes nga qytetarët.
Sigurisht që kjo ka prodhuar një formë false legjitimimi, pasi numri i grave në Kuvend rritet statistikisht, por pushteti real i vendimmarrjes brenda parlamentit dhe brenda partisë mbetet tek kryetari i partisë. Pra, në vend që të hapë rrugë për gra e vajza në karrierë, me kontribute publike dhe kapital elektoral, kuota është bërë mjet shpërblimi personal, sipas preferencës dhe interesit të kryetarit të partisë (e rrethit të ngushtë të tij). Ka tashmë gra të zgjedhura si në PS, ashtu edhe në PD, jo vetem me 1,2, por me 3, 4 deri 5 mandate, të dhuruara nga Kryetari i partisë me listë të mbyllur. Ky model jo përfaqësues, sigurisht ka krijuar një hendek mes deputeteve "të emëruara e të privilegjuara" dhe realitetit të grave e vajzave shqiptare, që përballen me plot vështirësi ekonomike, papunësi, mungesë mundësish e migrim të detyruar, si dhe ngarkesa të kujdesit familjar në përditshmërinë e tyre. Për më tepër, gratë përfituese të mandateve, nuk kanë ngritur kauza/ probleme të vetë kontigjentit të grave shqiptare, por thjesht i shërbejnë interesave të pushtetit të Kryetarit të partisë e sigurisht dhe interesit vetjak !!!
Kjo ka zhbërë edhe qëllimin origjinal të kuotës (përfaqësim e roli real i grave, jo thjesht prezencë numerike dhe interesa kryetarësh).
Por tashmë është e qartë se Kuota e ka mbaruar misionin e saj në Shqipëri.Beteja jonë 10 vjeçare si Lëvizje e gruas(1998-2008) deri sa futëm kuotën 30% për përfaqësimin e grave në Kuvend, i ka dhënë numerikisht rezultatet pozitive të saj ( nga 7,2 % në 2008, sot ka 35,7% gra). Por koha provoi se vendimarrja personale e përzgjedhies nga Kryetarët e Partive,ka ulur mjaft standartin, duke thelluar një defiçit të fortë përfaqësimi midis të emëruarave deputete të Kryetarëve dhe masës së madhe të grave e vajzave shqiptare, që ndihen të papërfaqësuara.
Si gratë ashtu edhe burrat që pretendojnë të jenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, duhet të garojnë në garë të hapur, me rregulla loje të barabarta e me programe efikase zhvillimore (jo si megafonë të Kryetarit, me tallava, gallatë, trukime, sfilata, apo me dajre), duke u përballur me votuesit për të fituar (nëse munden), mbështetjen e tyre!
Ne jemi një shoqëri, që duhet të bëjmë çmos të ruajmë vlerat më të mira të bartura në breza.
Prandaj, deri në ndryshimin e këtij sistemi të kalbur politik, që ka prodhuar plot marioneta politike kryetarësh dhe që janë joperfaqesuese për masën e madhe të grave dhe vajzave shqiptare, do vazhdojë e fuqishme thirrja:
“JU NUK NA PËRFAQËSONI!"
Lini një Përgjigje