Rritja e AfD në Gjermani/ Stefan: E nxitur nga pakënaqësitë e thella ekonomike

Rritja e AfD në Gjermani/ Stefan: E nxitur nga pakënaqësitë e thella ekonomike

19:00, 13/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një lëvizje tektonike, mund të quhet ajo se çfarë po ndodh në skenën politike të Gjermanisë, ku partitë ekstremiste po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, duke thelluar një ndarje të ashpër mes lindjes dhe perëndimit të vendit.

Ish konsullja, Anduena Stefan në një intervistë për Syri i Botës në Syri Tv me Dori Daka, tregon se kjo nuk është një ngjarje e papritur, por një reagim i akumuluar ndër vite, i nxitur nga pakënaqësitë e thella ekonomike.

Sipas saj, qytetarët në lindje kanë humbur durimin për t'u barazuar me Gjermaninë Perëndimore në çështjet e punësimit, të ardhurave dhe standardeve sociale, duke ndëshkuar kështu partitë klasike si CDU dhe SPD.

Shifrat bëhen edhe më alarmante kur vihet re pjesëmarrja në votime, thekson Stefan, duke shtuar se ky është një mesazh i qartë revolte ndaj Berlinit nga një popullsi prej 12.4 milionë banorësh, ku po kërkon me ngulm t'i dëgjohet zëri.

Pra, në pesë landet e para, aty ku në krahun e majtë kam shkruar DDR, janë pesë landet që u bashkuan Gjermanisë me bashkimin e Gjermanisë, pjesë e ish-Gjermanisë Lindore. Në këto pesë lande, po ta shikoni, kanë pasur zgjedhje në vitin 2024 dhe tani sërish në 2026-n, në të parin dhe të fundit. Dhe po të shikoni, AfD-ja që ishte një parti që nuk ka ekzistuar deri para 10 vjetësh, ka arritur rezultate në vitin '24, në Brandenburg, në Thüringen, në Sachsen, në nivelin e 30, 32, 31%. Pra domethënë, lëvizje tektonike nuk është se erdhën të papritur javën e kaluar në landin e Saksonisë e Anhaltit. Këto lëvizje tektonike, si të thuash, ato tërmetet e lehta, kanë filluar me kohë, dhe rezultatin e tyre, po të bëjmë analogji me shkallën Rihter, do të thoja që kemi qenë te shkalla katër, te shkalla pesë, tashi po shkojmë te shkalla gjashtë.

Dhe këto nuk erdhën papritur, këto janë të gjitha të përqendruara në landet e Gjermanisë Lindore. Dhe kjo për disa arsye: të forta ekonomike dhe për një miks... grupmoshash të cilat nuk kanë më dëshirë dhe durim të presin që të quhen të barabartë me pjesën perëndimore, dhe nuk kanë dëshirë dhe durim të presin derisa partitë klasike CDU dhe SPD të ndryshojnë kursin e tyre, përkundrejt punësimit të tyre. Sidomos punësimit, të ardhurave të barabarta me Gjermaninë Perëndimore, ku kemi akoma diferenca, dhe anën sociale. Kjo është e para. E dyta që është tipike e kësaj tabele, dhe gjithë këtyre zgjedhjeve që kemi në këto pesë lande, është që kemi një pjesëmarrje masive. Në demokracitë e konsoliduara pjesëmarrja në votime ka ardhur gjithmonë duke zbritur, duke rënë.

Ndërkohë që shikojmë që kemi një pjesëmarrje pothuajse mbi 70% në landet e Gjermanisë Lindore, dhe kjo tregon një interes shumë të fortë për të dërguar mesazhe politikës qendrore në Berlin, e cila gjithmonë i konsideron landet e reja... të gjitha bashkë janë 12.4 milionë. Pra domethënë nuk janë as sa landi i Rinit të Veriut dhe Vestfalisë ku ne jemi, që ka 18 milionë banorë. Janë pesë lande që kanë 12.4 milionë banorë. Por janë pesë lande me një 15% të popullsisë që po vendosin tonin dhe po i kërkojnë politikës me insistim që të dëgjohet zëri, sidomos i grupmoshave që janë në marrëdhënie pune, 30 vjeç deri në 59 vjeç. Dhe kjo është grupmosha që ka zgjedhur në mënyrë masive, sidomos tek meshkujt, AfD-në.

Ajo që është shqetësuese para se të zbresim poshtë kësaj tabele është që të rinjtë e grupmoshave, ata që janë zgjedhës për herë të parë, kanë zgjedhur dhe ata ekstremin, po të majtin. Kemi një polarizim shumë të fortë të pjesës së Gjermanisë Perëndimore me pjesën Lindore. Dhe kjo duket ashiqare qartë te ky grafik që unë ju kam dërguar, ne kemi zgjedhje që priten në Mecklenburg-Vorpommern, të cilat do të jenë në datën 20. Pritet që kryeministrja e SPD-së të rifitojë, por në parlament ajo do ketë një AfD shumë të fortë, në rreth 36.8%. Goxha. Pra domethënë, ajo mund ta krijojë qeverinë bashkë me koalicion, bashkë me partitë e tjera, por pothuajse gjysmën e parlamentit do ia zërë prapë AfD-ja, pra nuk do jetë një qeveri që do ta ketë të lehtë. Ose në landin e Thüringen-it, AfD-ja me 32.8% që arriti në '24-n, ka votë bllokuese.

Pra në vendimmarrjen më të rëndësishme për zhvillimin e landit, ato mund të vendosin kur të duan veton e atyre. Tani le të zbresim pak më poshtë grafikut dhe të shikojmë se si paraqitet gjendja në Gjermaninë Perëndimore, atë që unë e kam shkruajtur RFGJ, sepse kjo për publikun shqiptar është më e thjeshtë për t'u kuptuar. Dhe në qoftë se do shkonim tek dy landet kryesore të cilat mbajnë 45% të GDP-së gjermane, që është Bayern-i dhe landi i Rinit të Veriut dhe të Vestfalisë, do shikoni që partia udhëheqëse, në Bayern është vetëm CDU-CSU dhe në landin tonë të Rinit të Veriut dhe të Vestfalisë ku ne vitin tjetër kemi zgjedhje, këtu kemi 35.7% CDU-në dhe kemi një koalicion CDU me të Gjelbrit.

Pra, po ta shikojmë shifrat e AfD-së në landet e tjera të Gjermanisë Perëndimore, sikurse e shikoni lëvizin në shifra njëshifrore... domethënë në 4, 9, 5. Por sikurse thashë, këto janë zgjedhje që sikurse ju e shikoni, janë të legjislaturës së fundit. Absolutisht efekti domino. Efekti pritet që AfD-ja të vazhdojë të ketë gati gjysmën e zgjedhësve në landet e reja, t'i fitojë për vete. Por ndërkohë në landet e tjera, dhe sidomos në Bayern dhe në landin e Rinit të Veriut dhe Vestfalisë, 13 dhe 18 milionë banorë pra, këtu pritet që AfD-ja ndoshta të arrijë shifrën e 10, 12, 13%. Varet shumë edhe nga politika se si do vendosin ata të bëjnë fushatë dhe se si do ta ndërtojnë programin e tyre elektoral. Por gjithsesi pritet që në këto lande që janë bazë, janë të rëndësishme, AfD-ja të mos arrijë të jetë forcë bllokuese ose forcë qeverikrijuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco