Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

28 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, Flamur Noka me demokratët vizitojnë familjen Hajdari, priten nga bashkëshortja dhe djali i tij: Kujtuam shpirtin e tij luftarak

Shkruar nga Newsbomb
28 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, Flamur Noka me demokratët
Demokratet ne shtepine e familjes Hajdari

Një ditë më parë u shënuan 28 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, një prej figurave kryesore të lëvizjes studentore dhe të themelimit të Partisë Demokratike. Në këtë përvjetor, demokratët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj dhe Xhelal Mziu vizituan familjen Hajdari në banesën e tyre, ku u pritën nga bashkëshortja e Azem Hajdarit dhe djali i tij, Kiri Hajdari.

Përmes një postimi në Facebook, Flamur Noka ka ndarë një fotografi nga takimi me familjen Hajdari, duke kujtuar figurën e ish-deputetit demokrat dhe kontributin e tij në historinë politike të vendit.

“Me familjen e Azemit ndamë kujtime nga një kohë tjetër, me momente nostalgjie që na bashkojnë sa herë flasim për të, shpirtin e tij luftarak dhe zemrën e madhe që kishte. I gjithpranishëm në bisedat tona dhe i përjetshëm në historinë e Shqipërisë”, shkruan Noka.

Më 12 shtator u shënua 28-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit. Në këtë ditë përkujtimore, bashkëshortja Fatmira Hajdari dhe fëmijët e tij vendosën tufa me lule pranë monumentit kushtuar figurës së tij.

Azem Hajdari ishte një prej themeluesve të Partisë Demokratike, forcës së parë opozitare të krijuar në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist. Ai ishte një nga protagonistët kryesorë të lëvizjes studentore të viteve 1990-1991, e cila u shndërrua në një prej pikave kyçe që çuan drejt rrëzimit të diktaturës komuniste dhe vendosjes së pluralizmit politik në vend.

Pas lëvizjes studentore, Hajdari vijoi aktivitetin politik në radhët e Partisë Demokratike. Ai shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtoi Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes, duke u kthyer në një prej figurave më të spikatura të opozitës shqiptare.

Gjatë karrierës së tij politike, Hajdari u përball edhe me disa tentativa për eliminimin e tij. Më 12 shtator 1998, ai u vra në një atentat pranë selisë së Partisë Demokratike në Tiranë.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese