Avokati Ermal Hamataj ka komentuar në emisionin "News Room" në ABC News debatin e krijuar mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë për çështjen e pagave.
Hamataj u shpreh se historikisht ekzekutivi ka tentuar të kritikojë pushtetin gjyqësor, por nga ana tjetër edhe drejtësia nuk duhet ta përdorë pavarësinë si mburojë për të abuzuar.
“Ka pasur gjithmonë tentativa të pushtetit ekzekutiv për të anatemuar pushtetin gjyqësor, ka një sërë veprimesh që erdhën në këtë moment. Por duhet thënë që nuk duhet abuzuar edhe me elementin e pavarësisë. Për aq kohë sa kemi KLGJ dhe KLP, duhet të respektojmë edhe formën se si shteti jonë ka përcaktuar pagën. Por Gjykata Kushtetuese e ka detyruar shtetin shqiptar që ta rishikojë, por vendimi nuk është marrë në konsideratë. Por për mua Rama e ka fituar debatin. Megjithatë në 17 shtator Kuvendi do të vendosë. Dhe duhet ta them se sistemi gjyqësor ka nxituar me kallëzimet e qeverisë”, tha ai.
