Raporti i Institutit të Shëndetit Publik ka konfirmuar se helmimi i banorëve në Fushë Arrëz u shkaktua si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm.
Një javë më parë, qindra banorë përfunduan në spital me diarre, të vjella dhe temperaturë ndërsa deri ditën e djeshme nuk kishin një konfirmim lidhur me ujin, nëse duhej të konsumohej apo jo. Por raporti i dalë së fundmi nga ISHP ka konfirmuar se sistemi i furnizimit me ujë ishte ndotur.
“Në periudhën 24.08.2026–02.09.2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë regjistruar 139 raste me shenja gastrointestinale. Shumica e rasteve (128; 91.7%) kanë vendbanim në Fushë-Arrëz, me përqendrim të raportuar veçanërisht në Lagjen Demokracia dhe Lagjen Nushaj. Rasti tipik paraqitet me diarre dhe simptoma të sipërme gastrointestinale; 89.9% kanë raportuar të vjella dhe 71.5% temperaturë.
Rezultatet mikrobiologjike të ujit (Laboratori i Mikrobiologjisë së Ujrave, ISHP, 04.09.2026) konfirmojnë ndotjen e ujit të pijshëm përgjatë sistemit të furnizimit. Të gjitha mostrat klinike (17 tamponë rektalë) rezultuan negativë për patogjenët bakterialë dhe viralë të kërkuar. Situata epidemiologjike paraqet një tendencë në përmirësim, me paraqitjen e 5 rasteve të reja më datë 03.09.2026.
Duke marrë në konsideratë të dhënat mjedisore dhe epidemiologjike, përqendrimi i rasteve në një zonë urbane të furnizuar nga i njëjti sistem ujësjellësi, përfshirja e grupmoshave të ndryshme, dinamika dhe kohëzgjatja e kurbës epidemike, si dhe evidentimi i kontaminimit mikrobiologjik të ujit, përbëjnë një tregues të fortë për një burim të përbashkët ekspozimi të lidhur me sistemin e furnizimit me ujë”, thuhet në raport. Versus.al

