AKTUALITET /

Varrimi i Ratko Mlladiç me nderime shtetërore ndez reagimet, BE dhe SHBA dënojnë glorifikimin: Nuk ka vend në BE!

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë reagoi duke theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat themelore evropiane

Shkruar nga Versus

Varrimi i Ratko Mlladiç me nderime shtetërore ndez reagimet, BE dhe

Varrimi i Ratko Mlladiç me nderime ushtarake dhe shtetërore në Beograd ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar glorifikimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë reagoi duke theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat themelore evropiane.

“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit dhe revizionizëm është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe nuk ka vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim”, deklaroi Delegacioni i BE-së.

Reagime kanë ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara. Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi dhe Republikën Sërpska që të distancohen nga ceremonia e varrimit.

Në një deklaratë të përbashkët, senatorët e cilësuan Mlladiqin si “kriminel lufte dhe arkitekt të gjenocidit në Srebrenicë”, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

Sipas tyre, glorifikimi i Mlladiqit përbën përdhosje të kujtimit të viktimave dhe tregon se sa të gatshme janë Serbia dhe Republika Sërpska të shkëputen nga trashëgimia e krimeve të luftës.

Ndërkohë, një tjetër zhvillim diplomatik ka ardhur nga Brukseli. Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke e lidhur vendimin me glorifikimin e një personi të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.

Edhe në Beograd janë shfaqur mesazhe në mbështetje të Mlladiqit. Më 3 shtator, një grup personash vendosi një baner ku shkruhej “Ratko Mlladiq, hero serb”, ndërsa gjatë derbit mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit u shfaq një portret gjigant i tij me mbishkrimin “Drejt Potoçarit”.

Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, u varros më 7 shtator në Beograd, në një ceremoni me nderime ushtarake dhe shtetërore.

Mlladiq u dënua nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë./Versus.al

Poll