AKTUALITET /

Nisja e vitit të ri shkollor, AKU kontroll bizneseve që tregtojnë ushqime pranë shkollave

Kontrollet janë përqendruar te kushtet higjieno-sanitare, respektimi i afateve të përdorimit të produkteve, gjurmueshmëria dhe etiketimi i ushqimeve.

Shkruar nga Versus

Nisja e vitit të ri shkollor, AKU kontroll bizneseve që tregtojnë

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka intensifikuar kontrollet në të gjithë vendin, me fokus te siguria ushqimore në institucionet e arsimit parauniversitar dhe subjektet që tregtojnë ushqime pranë tyre.

Inspektorët e AKU-së po kontrollojnë fast-food-et, byrektoret, piceritë, marketet dhe pika të tjera të tregtimit të ushqimeve që ndodhen pranë shkollave, ndërsa kontrolle po kryhen edhe në kopshte, çerdhe dhe shkolla ku përgatiten ushqime për fëmijët dhe nxënësit.

Kontrollet janë përqendruar te kushtet higjieno-sanitare, respektimi i afateve të përdorimit të produkteve, gjurmueshmëria dhe etiketimi i ushqimeve.

Në kuadër të inspektimeve, AKU po merr edhe mostra të produkteve ushqimore për t’i nënshtuar analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, me qëllim evidentimin e çdo rreziku të mundshëm për shëndetin e fëmijëve.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, masat janë pjesë e paketës së “Sigurisë në shkolla” dhe synojnë garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për nxënësit, duke parandaluar problematikat që mund të shkaktohen nga ushqimet e tregtuara apo të konsumuara pranë institucioneve arsimore.

Në vijim të kontrolleve, AKU pritet të zhvillojë edhe fushata ndërgjegjësuese me operatorët e biznesit ushqimor, si dhe aktivitete informuese në sistemin parauniversitar.

Fokusi i këtyre fushatave do të jetë respektimi i rregullave të sigurisë ushqimore dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe nxënësve për zgjedhje më të sigurta ushqimore.

Poll