AKTUALITET /

Mld lekë evazion shtetit shqiptar dhe mospagim i tokave me qira, banorët protestë tek “Bankers”: Do bllokojmë naftën

Shkruar nga Versus

Mld lekë evazion shtetit shqiptar dhe mospagim i tokave me qira,

Fier- Dhjetëra banorë të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë u mblodhën mëngjesin e sotëm për të protestuar para zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum” duke kërkuar respektimin e kontratave dhe kryerjen e pagesave kundrejt tyre për tokat që kanë dhënë me qira.

Banorët thonë se tokat e tyre janë burimet e vetme të të ardhurave për familjet e zonës, ndërsa pretendojnë se prej kohësh, kompania që dyshohet se ka kryer miliarda lekë evasion fiskal ndaj shtetit shqiptar, nuk ka respektuar kontratat e lidhura me pronarët e tokave.

Sipas tyre, takimet me drejtuesit e kompanisë dhe me CEO-n, Hong Ping Xiao, nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Ndërkohë kompania pretendon se nuk njeh disa prej shpenzimeve që lidhen me tokat, ndërsa banorëve u është kërkuar gjithashtu ndryshimi i kontratave dhe çmimit të qirasë së tokës.

Disa prej banorëve do të takohen sot me drejtues të kompanisë dhe kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje, atëherë do të bllokojjnë vendburimet e naftës. Kompania ka marrë me qira toka në disa fshatra si: Sheqishtë, Marinëz, Belinë, Zharrëz dhe Kallm.

Në prill të këtij viti, GJKKO lehtësoi ndaj të pandehurve për dosjen e Bankers duke lënë në detyrim paraqitje ish-administratorin Leonidha Çobon, CEO-n aktual Hong Ping Xiao, Ardit Keron dhe Lianyi Ëang. Mbi këta 4 persona rëndojnë akuzat "Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në", "Fshehje e të ardhurave", "Pastrim i produkteve të veprës penale", "Shpërdorim detyre" dhe "Moskryerje e detyrave nga organet tatimore".

Sipas prokurorisë, dyshohet se “Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatimore, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je. Versus.al

Poll