POLITIKË /

“Varrimi i Ratko Mladiç tejkaloi kufijtë...", Ditmir Bushati: BE mbylli sytë! Bashkëpunimi ynë me Serbinë s'duhet mbështetur mbi metafora!

Bushati kritikon BE-në për atë që e cilëson si “mbyllje të syve dhe tolerim” ndaj Serbisë, duke argumentuar se për vite me radhë Brukseli i ka dhënë përparësi stabilitetit në rajon, në vend të demokratizimit të mirëfillt

Shkruar nga Versus

“Varrimi i Ratko Mladiç tejkaloi kufijtë...", Ditmir

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiqit në Beograd, duke e cilësuar atë si një ngjarje që shkon përtej një funerali dhe që, sipas tij, dëshmon një politikë të mirëorganizuar të Serbisë.

Bushati thekson se pjesëmarrja e mijëra personave, nderimet shtetërore dhe prania e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Sërpska, të ardhur të organizuar nga Banja Luka, tregojnë se ceremonia nuk ishte një reagim spontan.

“Mijëra njerëz në ceremoninë e varrimit të Ratko Mlladiqit, të shoqëruar nga nderime shtetërore dhe pjesëmarrja e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Sërpska, të cilët mbërritën në Beograd në mënyrë të organizuar nga Banja Luka, dëshmon se kjo ngjarje i tejkaloi kufijtë e një funerali”, shkruan Bushati.

Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me figurën e Mlladiqit, por me politikën që Serbia ka ndjekur ndër vite dhe mënyrën se si ajo është trajtuar nga Bashkimi Evropian.

Bushati kritikon BE-në për atë që e cilëson si “mbyllje të syve dhe tolerim” ndaj Serbisë, duke argumentuar se për vite me radhë Brukseli i ka dhënë përparësi stabilitetit në rajon, në vend të demokratizimit të mirëfilltë.

“Ndaj, sot nuk mund ta trajtojë organizimin e ceremonisë shtetërore për një kriminel lufte si një episod të veçuar, por si pasojë të drejtpërdrejtë të një politike të gabuar”, shprehet ish-ministri.

Ai e cilëson ceremoninë si një “shfaqje të përgatitur dhe të sinkronizuar”, ku, sipas tij, shteti, ushtria dhe kisha kanë vepruar në të njëjtin drejtim për glorifikimin e Mlladiqit.

“Secili prej këtyre institucioneve kishte rolin e vet të qartë në një skenar që synon rehabilitimin e politikave të viteve ’90 dhe legjitimimin zyrtar të asaj që është ndërtuar në hije për vite me radhë”, shkruan Bushati.

Në reagimin e tij, Bushati u bën thirrje vendeve të rajonit, përfshirë Shqipërinë, që marrëdhëniet me Serbinë të ndërtohen mbi parime të qarta për pajtimin dhe distancimin nga e kaluara e krimeve të luftës dhe gjenocidit.

“Sot, komuniteti ndërkombëtar nuk po përballet me ndonjë befasi, por thjesht po korr frytet e oportunizmit dhe politikës së lëshimeve ndaj Serbisë”, përfundon Bushati./Versus.al

Poll