
Ish-presidenti Ilir Meta nuk heq dorë nga kërkesa për të dalë nga qelia. Kreu i Partisë së Lirisë ka depozituar këtë të martë në Gjykatën e Lartë kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Meta kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa nga qelia, përmes avokatëve të tij, ka pretenduar se qëndrimi në paraburgim po e pengon në ushtrimin e aktivitetit politik.
Ai akuzohet zyrtarisht për korrupsion në tre raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në të njëjtën dosje janë marrë të pandehur edhe Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie më të lehta.
Kërkesa e re e Ilir Metës pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, e cila do të vendosë nëse masa “arrest në burg” do të zbutet apo do të mbetet në fuqi.
Ish-presidenti ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat e ngritura ndaj tij dhe masën e sigurisë, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar që ai të hetohet në një masë më të butë sigurie.

