
Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike ka shënuar mbrëmjen e sotme ditën e 100-të, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar përshkallëzim të saj me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Në prag të protestës, mësohet se Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie në zonën përreth Kuvendit. Rreth Parlamentit pritet të angazhohen rreth 1600 efektivë, ndërsa do të vendoset edhe një gardh metalik për krijimin e perimetrit të sigurisë.
Aktivistët kanë paralajmëruar se protesta nuk do të kufizohet vetëm në ditën e nesërme, por do të vijojë gjatë seancave të ardhshme parlamentare.
Protesta e së martës përkon me nisjen e sesionit të ri parlamentar, ku deputetët do të rikthehen në sallën e Kuvendit. Përballë paralajmërimeve për përshkallëzim, policia ka shtuar ndjeshëm praninë dhe masat e sigurisë pranë Parlamentit.

