AKTUALITET /

Udhëzimi/ Nga ushtrimet te vlerësimi i nxënësve, ministria e Arsimit lejon këtë sezon të ri arsimor ChatGPT në shkolla

Një pikë e rëndësishme është edhe lufta kundër plagjiaturës ku nxënësit duhet të dallojnë mes përdorimit të IA-së si një mjet ndihmës dhe kopjimit të drejtpërdrejtë të përgjigjeve.

Shkruar nga Versus

Udhëzimi/ Nga ushtrimet te vlerësimi i nxënësve, ministria e

Inteligjenca artificiale hyn zyrtarisht në shkollat shqiptare. Me nisjen e vitit të ri shkollor, mësuesit dhe nxënësit do të mund të përdorin mjete të IA-së, përfshirë ChatGPT dhe Gemini, në funksion të procesit mësimor.

Ministria e Arsimit ka hartuar një udhëzues të posaçëm për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimin parauniversitar, ku përcaktohen mënyrat se si këto teknologji mund të përdoren në klasë.

Sipas udhëzuesit, mësuesit mund të përdorin IA-në për përgatitjen e materialeve mësimore, krijimin e ushtrimeve, pyetjeve, testeve dhe provimeve, si dhe për mbështetjen e procesit të vlerësimit të nxënësve.

Përdorimi i saj shtrihet në një gamë të gjerë lëndësh, nga gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja, matematika, deri te artet dhe edukimi fizik. Inteligjenca artificiale mund të përdoret edhe për përkthime, korrigjime gjuhësore dhe për planifikimin e orëve mësimore.

Një nga qëllimet kryesore është përshtatja e procesit mësimor me ritmet dhe nevojat e ndryshme të nxënësve. Përmes IA-së mund të krijohen ushtrime me nivele të ndryshme vështirësie, të thjeshtohen shpjegimet apo të përgatiten detyra shtesë për nxënësit që kanë nevojë për më shumë mbështetje.

Edhe nxënësit orientohen ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë të përgjegjshme, për kërkim informacioni, realizimin e projekteve dhe zhvillimin e kreativitetit.

Megjithatë, udhëzuesi evidenton edhe rreziqet që shoqërojnë përdorimin e kësaj teknologjie në arsim, si dezinformimi, varësia digjitale, cenimi i privatësisë dhe përdorimi joetik i përmbajtjeve të gjeneruara nga IA.

Një pikë e rëndësishme është edhe lufta kundër plagjiaturës. Nxënësit duhet të dallojnë mes përdorimit të IA-së si një mjet ndihmës dhe kopjimit të drejtpërdrejtë të përgjigjeve.

“Përdorimi i IA-së për të kuptuar një koncept, për të marrë sugjerime ose për të përmirësuar një draft mund të jetë i pranueshëm, nëse nxënësi mendon, përpunon dhe krijon vetë. Por kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve të IA-së cënon integritetin akademik”, thuhet në udhëzues.

Dokumenti vendos theks të veçantë edhe te mbrojtja e të dhënave personale. Mësuesit dhe nxënësit duhet të shmangin vendosjen në platformat e IA-së të emrave, inicialeve, fotografive, emrit të shkollës apo të dhënave të tjera që mund të identifikojnë një person.

Sipas udhëzuesit, inteligjenca artificiale duhet të mbetet një mjet mbështetës dhe jo zëvendësues i mësuesit. Vendimmarrja për procesin mësimor dhe vlerësimin e nxënësve mbetet në përgjegjësinë e mësuesit.

Udhëzuesi është mbështetur edhe në rekomandimet e UNESCO-s për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim, ku teknologjia konsiderohet një mundësi për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe mbështetjen e nxënësve me nevoja të ndryshme.

Poll