POLITIKË /

Kuvendi voton Evis Kushin si n/kryetare, mbyllen punimet e seancës plenare. Jashtë vijon protesta

Shkruar nga Versus

Kuvendi voton Evis Kushin si n/kryetare, mbyllen punimet e seancës plenare.

Pas një muaji pushim, deputetët u rikthyen në Kuvend për sesionin e ri parlamentar, ndërsa jashtë Parlamentit u zhvillua një protestë.

Numri i protestuesve ishte i ulët, por pati tensione me policinë. Efektivët u qëlluan me vezë dhe domate, ndërsa dy protestues u shoqëruan pasi thyen perimetrin e sigurisë. “Polici e krimit!” dhe “Nuk na përfaqësoni!” ishin disa nga thirrjet.

Në sallën e Kuvendit, përplasjet politike nisën që në seancën e parë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se e ka kthyer Kuvendin në “noter të qeverisë”.

Nga ana tjetër, socialisti Taulant Balla vendosi integrimin europian në qendër të prioriteteve, duke deklaruar se negociatat me BE-në synohet të mbyllen deri në fund të vitit 2027 dhe Shqipëria të anëtarësohet brenda vitit 2030.

Ndërkohë, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale pritet të rikthejnë përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës, pasi palët vijojnë të kenë qëndrime të ndryshme.

Seanca u mbyll me largimin e opozitës nga salla. Mazhoranca votoi e vetme Evis Kushin si nënkryetare të Kuvendit, si dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për emërimin e Klodiana Spahiut ministre të Shëndetësisë.

Presidenti Begaj u bëri thirrje deputetëve për dialog me njëri-tjetrin dhe me qytetarët, duke kërkuar forcimin e besimit te politika dhe institucionet./Versus.al

Poll