Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ka përfunduar pas 2 orësh protesta e organizuar para Kuvendit me nisjen e punimeve për këtë sesion të ri parlamentar. *Policia shtoi masat e sigurisë duke rrethuar dhe Parlamentin me gardh metalik. *Protestuesit kanë qëlluar me vezë, ujë dhe domate makinat e disa deputetëve që kaluan në rrugën para qendrës tregtare, ndërsa policia ndërhyu duke shoqëruar disa prej tyre. *Mësohet se shumë deputetë të PS kanë mbetur brenda ambienteve të Parlamentit, ndërsa policia ka kërkuar nga protestuesit lirimin e rrugës *Në përpjekje për të mos iu bindur urdhrit të policisë, ka patur shoqërime të dhunshme nga ana e policisë, ku mes të shoqëruarve është dhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj si dhe gazetari Shpend Gashi. Protesta ka vijuar më pas para drejtorisë së Policisë ku kërkohet lirimi i 20 protestuesve të arrestuar
“Lironi çunat! Protestuesit bllokojnë rrugën para drejtorisë së Policisë së Tiranës

Protestuesit vijojnë të qëndrojnë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku kanë bllokuar qarkullimin në aksin rrugor përpara institucionit.
Ata kërkojnë lirimin e 20 qytetarëve të shoqëruar gjatë protestës së sotme.
“Na sillni çunat, që të lirojmë rrugën!”, është thirrja e protestuesve, të cilët kanë vendosur si kusht për hapjen e rrugës lirimin e personave të shoqëruar.
Rreth 20 qytetarë janë shoqëruar nga policia gjatë protestës, ndërsa pas përfundimit të tubimit, protestuesit janë zhvendosur para Drejtorisë së Policisë, ku kanë vijuar protestën.
Përveç aksit pranë Drejtorisë së Policisë, është bllokuar edhe rruga në Myslym Shyri. Në vendngjarje është marrë gjithashtu një kosh mbeturinash.
Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të lirojnë rrugën pa marrë përgjigje nga autoritetet për fatin e qytetarëve të shoqëruar.
"Çfarë mjerimi mendor", Rama reagon pas fyerjeve të protestuesve drejt Iris Luarasit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit me deputeten socialiste Iris Luarasi gjatë protestës para Kuvendit.
Rama ka publikuar pamjet e përplasjes verbale të Luarasit me disa protestuese, duke e shoqëruar videon me mesazhin: “Çfarë mjerimi mendor!”
Më herët, Luarasi deklaroi se ishte përballur me sharje dhe fyerje, ndërsa protestueset e kishin cilësuar “hajdute”.
“Më thërritën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoj të m’i vjedhë askush”, u shpreh deputetja, duke paralajmëruar se incidentin do ta denoncojë.
Përplasja ndodhi gjatë protestës së zhvilluar sot pranë Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
FOTO-VIDEO/ Makinat e deputeteve të PS Brisejda Çakërri dhe Ilda Gjuzi u qëlluan me vezë e domate, momentet pikante nga protesta tek Kuvendi

Dy prej deputeteve socialiste që nuk i shpëtuan zemëratës së protestuesve ishin Brisejda Çakërri dhe Ilda Gjuzi.
Ditën e sotme, protestuesit ishin pajisur me vezë e domate, të cilat i përdorën si kundër deputetëve, ashtu edhe kundër efektivëve të Policisë.
Sic shihet nga fotot, Brisejda Çakërri sapo doli nga Kuvendi dhe hipi në makinë për t’u larguar, u qëllua me dhjetëra vezë drejt automjetit të saj.
Momenti më ‘pikant’ është kur protestuesit bllokojnë makinën me të cilën po largohej deputetja e PS, Ilva Gjuzi dhe nisën ta godisnin me vezë e domate.
Vezëve të protestuesve nuk u shpëtuan dot as kordoni i efektivëve të ‘Shqiponjave’ që ishin aty pranë.
"Nuk ka fjalime, janë arrestuar 20 protestues", vijon marshimi drejt drejtorisë së Policisë

Marshimi i protestuesve ka vijuar pas disa minutash ndërprerje, duke u drejtuar në drejtim të Drejtorisë së Policisë ku ndodhen 20 persona që u arrestuan pasditen e sotmet tek Kuvendi.
Me thirrjet, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë patronazhistët”, "Lironi çunat", qytetarët po marshojnë nëpër rrugët e Tiranës.
Me megafon, një nga organizatorët bëri me dije se sot janë shoqëruar nga policia 20 persona. Organizatori u shpreh se protestuesit nuk tërhiqen.
Bllokohet Bulevardi i Madh, protestuesit ndërpresin marshimin: Nuk shitet Shqipëria!

Vijon prej disa orësh protesta e qytetarëve e cila mbrëmjen e sotme shënon ditën e 101.
Pas largimit nga zona pranë Kuvendit, protestuesit janë bashkuar së bashku për marshimin drejt Kryeministrisë, por ata kanë ndaluar duke bllokuar Bulevardin e Madh "Dëshmorët e Kombit".
Disa prej tyre janë ulur në rrugë duke brohoritur “Nuk shitet Shqipëria” dhe “Ju erdhi fundi!”.
"Fyerja nuk është protestë"! Iris Luarasi paralajmëron padi për sjelljen e aktivisteve brenda qendrës tregtare

Deputetja socialiste Iris Luarasi ka paralajmëruar kallëzim ndaj aktivisteve që sot e përballën në një qendër tregtare në Tiranë, duke e akuzuar dhe cilësuar “hajdute”, ndërsa filmonin incidentin me telefonat e tyre.
Në një video-mesazh të publikuar disa orë pas përplasjes, Luarasi tha se nuk pranon fyerjet dhe akuzat ndaj saj, duke deklaruar se rasti do t’i lihet në dorë drejtësisë.
“Më thirrën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejova të m’i vjedhë askush. Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj”, u shpreh ajo.
Luarasi i cilësoi sjelljet e aktivisteve si “agresion” dhe jo aktivizëm.
“Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë. Fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm”, deklaroi deputetja.
Policia arreston disa protestues, kërkohet lirimi i rrugës para Qendrës Tregtare

Ka agravuar situata mes policisë dhe protestuesve, ku disa prej tyre janë arrestuar nga policia e cila po vijon të tentojë largimin e qindra qytetarëve nga rruga.
Megjithëse Kuvendi ka mbyllur punimet, mësohet se disa deputetë kanë mbetur të bllokuar, ndaj forcat e policisë ka kërkuar largimin e protestuesve dhe spostimin e tyre në një destinacion tjetër./Versus.al
View this post on Instagram
Deputetë të bllokuar në Kuvend, policia tenton largimin e protestuesve. Shoqëron Adriatik Lapajn dhe gazetarin Shpend Gashi

Vijojnë tensionet mes policisë dhe protestuesve të cilët kanë qëlluar drejt tyre me ujë, vezë dhe domate.
Por, mes tensioneve, policia ka shoqëruar kreun e "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj dhe gazetarin Shpend Gashi.
Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike.
VIDEO/ Tensione para Qendrës Tregtare, qëllohet me ujë dhe vezë drejt makinës së Zegjine Çaushit

Me mbylljen e Kuvendit, deputetët janë larguar me automjetet e tyre ndërsa protestuesit qëndrojnë jashtë gardhit metalik.
Ata kanë hedhur vezë në drejtim të një automjeti që mendohet se është e deputetes socialiste Zegjine Çaushi.
Forcat “Shqiponja” të Policisë janë vendosur në gardh sigurie për të mos lejuar përplasjet e protestuesve me deputetët./Versus.al
FOTO-LAJM/ Kuvendi voton Klodjana Spahiun si ministre të Shëndetësisë, emocionohet deputetja

Kuvendi ka miratuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shkarkimin nga detyra te Evis Sales, dhe emërimin e Klodjana Spahiut në detyrën e ministres së re të Shëndetësisë.
Me votat e mazhorancës, tashmë Spahiu do të drejtojë ministrinë e Shëndetësisë. Deputetja nuk i ka fshehur emocionet teksa është miratuar dekreti i Begajt ku mes duartrokitjeve është ngritur në këmbë dhe ka falenderuar kolegët socialistë./Versus.al
View this post on Instagram
Kuvendi voton Evis Kushin si n/kryetare, mbyllen punimet e seancës plenare. Jashtë vijon protesta

Pas një muaji pushim, deputetët u rikthyen në Kuvend për sesionin e ri parlamentar, ndërsa jashtë Parlamentit u zhvillua një protestë.
Numri i protestuesve ishte i ulët, por pati tensione me policinë. Efektivët u qëlluan me vezë dhe domate, ndërsa dy protestues u shoqëruan pasi thyen perimetrin e sigurisë. “Polici e krimit!” dhe “Nuk na përfaqësoni!” ishin disa nga thirrjet.
Në sallën e Kuvendit, përplasjet politike nisën që në seancën e parë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se e ka kthyer Kuvendin në “noter të qeverisë”.
Nga ana tjetër, socialisti Taulant Balla vendosi integrimin europian në qendër të prioriteteve, duke deklaruar se negociatat me BE-në synohet të mbyllen deri në fund të vitit 2027 dhe Shqipëria të anëtarësohet brenda vitit 2030.
Ndërkohë, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale pritet të rikthejnë përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës, pasi palët vijojnë të kenë qëndrime të ndryshme.
Seanca u mbyll me largimin e opozitës nga salla. Mazhoranca votoi e vetme Evis Kushin si nënkryetare të Kuvendit, si dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për emërimin e Klodiana Spahiut ministre të Shëndetësisë.
Presidenti Begaj u bëri thirrje deputetëve për dialog me njëri-tjetrin dhe me qytetarët, duke kërkuar forcimin e besimit te politika dhe institucionet./Versus.al
"Të kam patur shoqe në fakultet", Noka paralajmëron Klodiana Spahiun: Nëse firmos KAYO-n e Shëndetësisë do shkosh tek vendi moj e gjorë!

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka paralajmëruar ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, për kontratat koncesionare në sektorin e shëndetësisë.
Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Noka i kërkoi ministres të refuzojë firmosjen e kontratave, duke e paralajmëruar për pasoja ligjore.
“Do ta firmosësh ‘fap-fap’ atë KAYO-n e Shëndetësisë? Do shkosh te vendi, moj e gjorë. Ku është Ahmetaj sot?”, deklaroi Noka nga foltorja e Kuvendit.
Ai përmendi edhe ish-ministrin Ilir Beqaj, biznesmenen Vilma Nushi dhe ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke i përdorur si shembuj në argumentin e tij.
“Ulje në atë karrige të rrezikon kokën. Matu dhe refuzoje. Kemi qenë shokë shkolle dikur dhe me dhimbje të shoh një shoqen time të shkollës ‘fap-fap’ dhe të përfundosh pas hekurave. Reflekto sa nuk është vonë”, u shpreh Noka.
Flamur Noka: Ku është ajo Klodiana? Klodiana, do ta firmosësh “fap-fap” atë KAYO-n e Shëndetësisë, do shkosh te vendi moj e gjorë. Se kështu i tha të gjithëve ky, i tha dhe Arben Ahmetajt, “firmos ‘fap-fap’, çfarë të duash, se për kokë të Zahos të përgjigjem unë.” Ku është Ahmetaj sot?
I tha kështu edhe Ilir Beqajt, “fap-fap”, dhe Vilma Nushit dhe Klod Allajbeut, “firmosja të gjithëve, se jam unë këtu.” Ky është Beqaj sot? Kështu, moj Klodiana, i tha edhe Erion Veliajt. Ku është Veliaj sot? Prit, prit…
Klodiana, ulja në atë karrige të rrezikon kokën, matu dhe refuzoje. Kemi qenë shokë shkolle dikur dhe me dhimbje të shoh një shoqen time të shkollës “fap-fap” dhe të përfundosh pas hekurave. Reflektoni sa nuk është vonë./Versus.al
View this post on Instagram
"Polici e krimit", protestuesit hedhin vezë mbi efektivët, nisin incidentet e para para Kuvendit

Tensione dhe incidente janë shënuar gjatë protestës qytetare pranë Kuvendit, në ditën kur ka nisur sesioni i ri parlamentar.
Pas shoqërimit të dy protestuesve nga policia, një grup efektivësh është qëlluar me vezë dhe domate nga qytetarët në kryqëzimin e Ushtarit të Panjohur.
Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër policisë, duke brohoritur në kor: “Polici e krimit”.
Situata pranë Kuvendit vijon të jetë e tensionuar, ndërsa forcat e policisë janë të pranishme në zonë për mbarëvajtjen e protestës./Versus.al
VIDEO/ Refuzuan të largohen nga Ministria e Brendshme, policia shoqëron 2 protestues

Forca të shumta të policisë dhe ato të ‘Shqiponja’ po mbikqyrin mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë e cila ka nisur sot sesionin e ri parlamentar.
Ndërkohë para godinës, janë mbledhur protestues të shumtë të cilët kanë lajmëruar se protesta e sotme do të mbahet pikërisht para Parlamentit, për t’i “uruar” mirëseardhjen deputetëve.
Mësohet se 2 prej tyre janë shoqëruar nga policia pasi kanë tentuar të kalojnë bulevardin.
Policia nuk ka lejuar madje as qytetarët të qëndrojnë në krah të godinës së ministrisë së Brendshme./Versus.al
View this post on Instagram
Nis Kuvendi, mazhoranca propozon Evis Kushin nënkryetare të Parlamentit

Mazhoranca ka propozuar deputeten e Elbasanit, Evis Kushi,nënkryetare e re e Kuvendit.
Ky është propozimi i PS i cili u është bërë me dije në mbledhjen e grupit përpara seancës plenare që do të zhvillohet pasditen e sotme.
Evis Kushi zëvendëson në detyrë Klodiana Spahiun.
Klodiana Spahiu mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas largimit të Evis Salës nga detyra.
VIDEO/ "Hajdutë! Nuk i përfaqësoni gratë", pak para seancës aktivistet i zënë "pritë" Iris Luarasit

Pak minuta para nisjes së punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, sic e kishin njoftuar protestuesit janë shpërndarë për të penguar hyrjen e deputetëve në godinë.
Një prej tyre ka qenë Iris Luarasi, deputetja e PS, e cila është ndjekur dhe filmuar nga 2 aktiviste, mes tyre dhe Arvina Lleshi e cila u arrestua disa ditë më parë.
“Përfaqëson oligarkët në parlament, o kriminelë. Turp për ju, ja kush e përfaqëson shoqërinë civile. Për cilat gra flet ti? Nuk përfaqëson gratë shqiptare ti! Turp, turp. Hajdute!”., janë shprehur aktivistet.
Mësohet se nuk ka patur incidente, ndërkohë që deputetja Iris Luarasi është shoqëruar nga rojet security deri në ambientet e jashtme të qendrës tregtare.
View this post on Instagram

