AKTUALITET /

Shpërndanin lëndë narkotike në Sarandë e Ksamil, lihen në burg 20 persona. Mes tyre dhe shtetas të huaj

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se në skemë mund të jenë përfshirë shtetas të huaj, të cilët kontaktonin personat nën hetim për të blerë doza në sasi më të mëdha dhe më pas dyshohet se i shpërndanin ato në zonën e Sarandës dhe Ksamilit

Shkruar nga Versus

Shpërndanin lëndë narkotike në Sarandë e Ksamil, lihen

Një grup prej 20 personash është vënë nën hetim dhe ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, pasi dyshohet se ishin përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në Sarandë dhe Ksamil.

Masa e sigurisë është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me kërkesë të Prokurorisë, në kuadër të procedimit penal nr. 442 të vitit 2026.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shpërndanin kryesisht kokainë, por edhe kanabis. Aktiviteti i dyshuar kriminal zhvillohej në zona të ndryshme të Sarandës dhe Ksamilit, përfshirë shëtitoret, plazhet, pranë gjimnazeve dhe ambiente të tipit “Beach Bar”, ku lënda narkotike dyshohet se u shitej edhe turistëve.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se në skemë mund të jenë përfshirë shtetas të huaj, të cilët kontaktonin personat nën hetim për të blerë doza në sasi më të mëdha dhe më pas dyshohet se i shpërndanin ato në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.

Sipas të dhënave të hetimit, kanabisi dyshohet se sigurohej në fshatin Shenvasil dhe zonat përreth.

Prokuroria bën me dije se hetimet janë zhvilluar për një periudhë rreth dy mujore, gjatë së cilës janë kryer veprime të simuluara dhe përgjime ambientale. Në kuadër të këtyre veprimeve është dokumentuar edhe shitja e lëndëve narkotike.

Më herët, për këtë procedim janë arrestuar edhe shtetasit A.N., A.C. dhe K.J., të cilëve iu sekuestruan rreth 4 kilogramë kanabis.

Sipas hetimeve, dozat e lëndëve narkotike që dyshohet se shiteshin varionin nga 0.3 gramë deri në 3.5 gramë, ndërsa çmimet shkonin nga 2 mijë deri në 35 mijë lekë, në varësi të llojit dhe sasisë së lëndës narkotike.

Gjykata ka caktuar masën “arrest në burg” për 20 personat nën hetim, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, sipas nenit 283 të Kodit Penal.

Gjatë ekzekutimit të vendimit për masat e sigurisë dhe kontrolleve të banesave, policia ka gjetur dhe sekuestruar, ndër të tjera, edhe dy armë zjarri në banesat e shtetasve D.S. dhe Sh.B., të cilët janë pjesë e grupit të personave nën hetim.

Hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë vijojnë.

Poll