
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh për deputetët në nisje të sesionit të ri parlamentar, duke i bërë thirrje për më shumë bashkëpunim, dialog dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve.
Begaj u shpreh se hapja e një sesioni të ri parlamentar është një moment reflektimi mbi rezultatet e arritura dhe sfidat që Shqipëria ka përpara.
Duke iu referuar situatës politike dhe protestave qytetare, Presidenti theksoi se protesta paqësore dhe shprehja e lirë e mendimeve janë pjesë e natyrshme e një shoqërie demokratike.
“Sfida jonë e përbashkët është që kjo energji qytetare dhe ky angazhim institucional të ushqejnë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve më të mira”, tha Begaj.
Presidenti kërkoi që Kuvendi të jetë një institucion funksional, përfaqësues dhe llogaridhënës, ku dallimet politike të shprehen përmes debatit dhe argumenteve.
Në mesazhin e tij, Begaj renditi si çështje me rëndësi sigurinë kombëtare, shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Një vëmendje të veçantë Presidenti i kushtoi integrimit europian, duke e cilësuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian si “një projekt kombëtar”, i cili kërkon vazhdimësi, bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.
Begaj theksoi gjithashtu rëndësinë e konsolidimit të reformës në drejtësi, duke vlerësuar rezultatet e SPAK-ut dhe duke nënvizuar nevojën për një drejtësi të pavarur, të paanshme, efikase dhe me standarde europiane.
Sipas Presidentit, përgjegjësia për të ardhmen e vendit është e përbashkët, pavarësisht dallimeve politike.
“Mandatet dhe bindjet politike janë të ndryshme, por përgjegjësia ndaj Shqipërisë është e përbashkët”, u shpreh Begaj.
Në përfundim, kreu i shtetit uroi që sesioni i ri parlamentar të karakterizohet nga bashkëpunimi dhe dialogu, duke kontribuar në forcimin e institucioneve, rritjen e besimit të qytetarëve dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

