AKTUALITET /

Kapet duke përgatitur doza droge në makinë për tregtim, arrestohet 27-vjeçari nga Paskuqani

Sipas policisë, i riu është konstatuar në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”, teksa dyshohet se po ndante lëndë narkotike në doza për t’i shitur më pas

Shkruar nga Versus

Kapet duke përgatitur doza droge në makinë për tregtim,

Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi u kap duke përgatitur doza të lëndëve narkotike me qëllim shitjen në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në pranga ka rënë shtetasi J. C., 27 vjeç, banues në Paskuqan.

Sipas policisë, i riu është konstatuar në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”, teksa dyshohet se po ndante lëndë narkotike në doza për t’i shitur më pas. Në momentin që ka parë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ai ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur nga efektivët.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar doza të kokainës dhe Cannabis Sativa, si dhe përzierje Crack dhe municion luftarak.

Arrestimi është kryer në kuadër të aksioneve të intensifikuara të policisë për evidentimin dhe goditjen e personave që dyshohet se merren me sigurimin, përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Poll