
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin e dytë të inovacionit ku foli për fushën e teknologjisë në Shqipëri në sektorin publik dhe atë privat. Teksa përmendi disa arritje në sektorin publik, Rama tha se në atë privat ka ende shumë punë për të bërë lidhur me adaptimin e teknologjisë.
Ndërsa pati një reagim edhe për artikujt e publikuar në media për disa biznese që kishin përfituar nga startup-et duke i quajtur ato si “përpjekje për të vënë gjoba”. Këshilla e tij për drejtuesit e këtyre bizneseve ishte që të përshtaten me këtë situatë dhe të vijonin përpara.
“Po ekslporojmë mundësinë e ngritjes së data centerave, por kjo temë është shumë më komplekse. Sot qeveria shqiptare ka një avantazh të madh në sektorin publik, por në sektorin privat jemi shumë mbrapa. Kemi vetëm 24% biznese që tregtojnë online, është shifër shumë e ulët. Kemi vetëm 9% sipërmarrje që përdorin IA dhe është shifër shqetësuese. Objektivi ynë është që eksportet e teknologjisë të shkojnë në 1 miliardë euro brenda kësaj decade. Është e mundshme dhe do vazhdojmë të fuqizojmë mbështetjen për start up-et. Këtë vit kemi bërë kapërcim të madh në aplikime, por kemi bërë edhe dyfishim të fondeve për start-up-et. Më vjen keq për një lloj presioni gjobëvënës që u ushtrua ndaj një numri start up-esh nga portale të mirënjohura dhe famëkëqija për vendosje gjobash nën maskën e shtypit të lirë. Në këtë pikë nuk mund t’u qaj hallin sepse më duket shumë pak ajo që hani ju në krahasim me atë që ha vetë. Kështu që adaptohuni dhe ecni para. Këshilla ime është mos u merrni fare me to, as mos i lexoni. Shkruajnë ekzaktësisht për t’ju shqetësuar dhe për t’ju bërë të kërkoni kontaktin për të paguar gjobën kriminale. Përndryshe nuk kanë asnjë efekt”- tha Rama. Versus.al

