Rajoni

BE dënon Serbinë për varrimin e Ratko Mlladiçit, Von der Leyen dhe Costa: Pamjet ishin tronditëse! bien ndesh me vlerat e BE-së

Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër ceremoninë me nderime shtetërore që Serbia organizoi për Ratko Mlladiçin, ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Reagimi vjen një ditë pasi në varrim morën pjesë zyrtarë të lartë serbë, ndërsa arkivoli i Mlladiçit u transportua me avion qeveritar, u mbështoll me flamurin serb dhe u përcoll me nderime ushtarake.

Në një deklaratë të përbashkët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, e cilësuan ceremoninë një zhvillim që bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

“Pamjet nga varrimi i djeshëm i Ratko Mlladiçit në Beograd ishin tronditëse. Ratko Mlladiç ishte një kriminel lufte i dënuar, përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera. Mbështetja zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim janë thellësisht për të ardhur keq. Ato tregojnë se Serbia nuk është përballur me një nga kapitujt më të errët të historisë së fundit të Evropës dhe bien ndesh me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e saj drejt Bashkimit Evropian. Mendimet tona janë me të gjitha viktimat e krimeve të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy drejtuesve të institucioneve kryesore të BE-së.

Sipas Euronews, ky është reagimi më i fortë institucional i Brukselit deri tani dhe pritet të ndikojë edhe në procesin e integrimit të Serbisë në BE. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e kishte cilësuar më herët varrimin e Mlladiçit një “test të rëndësishëm” për Serbinë, ndërsa pas ceremonisë anuloi vizitën e planifikuar në Beograd. Një diplomat evropian deklaroi se, pas këtyre zhvillimeve, hapja e Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit “as që diskutohet për momentin”.