Në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, mandatoi Albin Kurtin për formimin e qeverisë së re, pasi Lëvizja Vetëvendosje e propozoi zyrtarisht për këtë post. Hapi i radhës:
Kurti duhet të paraqesë përbërjen dhe programin e qeverisë para Kuvendit, ku do të kërkojë votimin për kabinetin e ri.

LVV-ja thotë se ka 62 vota, një më shumë se numri i nevojshëm për formimin e Ekzekutivit.
53 janë deputetë të LVV-së dhe 9 nga komunitetet pakicë.
Më herët gjatë ditës, pavarësisht mospjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në seancë dhe tërheqjes së kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares, konstituimi i Kuvendit u mbyll me zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve të tjerë.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, deklaroi:
Kuvendi nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik.
Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota pro. Ndërkaq, pas 8 kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, parlamenti zgjodhi deputeteten serbe, Tanja Vujoviç, e cila mori votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa nga LDK-ja.
Nga minoritetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake. Emilija Rexhepi.
Konsideroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar, tha Haxhiu, para se ta mbyllte seancën.
Në një vendim të mëparshëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që në rrethana të caktuara, Kuvendi i Kosovës të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij nuk mundësohet e në rast se Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.
Këto zhvillime i hapin rrugë fundit të një bllokade politike që nisi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.