Aktualitet

Mbi 30 plumba drejt makinës së parkuar në Mat!

Të shtëna me armë zjarri mbrëmë në Urakë të Matit. Persona ende të paidentifikuar qëlluan drejt një “Audi”, të parkuar në oborrin e një banese.

Makina është në pronësi të shtetases S.Ll. (bashkëshortja e shtetasit A.Ll.). Nga të shtënat pati vetëm dëme materiale. Për hetimin po bashkëpunohet edhe me blutë në Tiranë, Lezhë e Kukës.

Efektivët ngritën pika kontrolli. Rreth 2 kilometra larg vendit të të shtënave, në aksin Rrëshen-Burrel, policia gjeti të djegur një “Golf V”.

Dyshohet se mjeti mund të jetë përdorur nga autorët e sulmit, që qëlluan me mbi 30 plumba ndaj makinës së parkuar.

Brenda tij u gjetën dy kallashnikovë, të dëmtuar pjesërisht. Armët u sekuestruan si prova materiale.

Nga verifikimet, rezultoi se korrikun e vitit të kaluar, “Golf V” ishte denoncuar i vjedhur nga pronari i tij, banor i Përrenjasit.