Aktualitet

Përmirësohet situata e zjarreve, shuhen të gjitha vatrat në terren!

Dhjetë vatra zjarri u raportuan në vend 24 orët e fundit dhe sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka asnjë aktive apo nën mbikëqyrje.

Problematikat më të mëdha ishin në disa qarqe, ku flakët përfshinë zona me bimësi e sipërfaqe pyjore, duke kërkuar angazhimin e strukturave vendore, forcave zjarrfikëse, policisë, shërbimit pyjor, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura.

Në Bularat të Dropullit, zjarri u shua pas ndërhyrjes së strukturave vendore, policisë dhe Forcave të Armatosura.

Në Qarkun Dibër, situata u menaxhua në disa zona, ku u shuan vatrat në Lundre-Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë.

Në Gallatë të Kurbinit, vatra e ardhur nga territori i Matit rezulton e fikur, ndërsa në Qarkun Elbasan, u shua zjarri në Librazhd Katund, që preku bimësi me pisha.

Në Qarkun e Fierit u shuan zjarret në Bitaj të Lushnjës e në Rërës të Patosit.

Në total, për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve janë angazhuar 174 forca operacionale e 14 automjete zjarrfikëse. Ushtria mbështeti operacionet me 27 efektivë, 3 mjete e një autoambulancë.