Ardian Muka, 56 vjeç, banues në Gërdec, është arrestuar nga Policia e Vorës, pasi dyshohet se ka kërcënuar me jetë kushëririn dhe familjarët e tij, duke i kërkuar 300 mijë euro.
Policia ndërhyri pas kallëzimit të kushëririt të tij, i cili kishte gjetur në portën e banesës, në fshatin Gërdec, një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve. Sipas Policisë, në mesazhin kërcënues kërkohej që ai të jepte shumën prej 300 mijë eurosh.
Në kuadër të operacionit të koduar “Mesazhi”, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe nën drejtimin e Prokurorisë, identifikuan dhe arrestuan 56-vjeçarin.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale municion luftarak, veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe një aparat celular.
Ndaj 56-vjeçarit janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit”.
Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.


