Elbasani u përfshi nga një prej stuhive më intensive të muajve të fundit. Brenda vetëm 30 minutash ranë 60 milimetra shi, duke shkaktuar përmbytje në banesa dhe bodrume, dëmtime në dhjetëra automjete, si dhe probleme në qarkullim.
Sipas bilancit paraprak të Bashkisë Elbasan, rreth 30 banesa dhe 20 bodrume janë prekur nga uji. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në automjetet e parkuara në parkimet nëntokësore, ku uji depërtoi me shpejtësi.
Menjëherë pas stuhisë, ekipet e emergjencave dhe shërbimeve publike kanë dalë në terren, duke përdorur pompa për largimin e ujit dhe duke ndërhyrë për hapjen e rrugëve të bllokuara.
Reshjet kanë rrëzuar gjithashtu 10 pemë në zona të ndryshme të qytetit. Ndërkohë, prurjet e ujit kanë sjellë materiale në disa akse rrugore të njësive administrative, ku është dashur ndërhyrja e mjeteve të bashkisë për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit.
Pavarësisht intensitetit të reshjeve, deri tani nuk raportohen persona të lënduar. Strukturat vendore vijojnë evidentimin e dëmeve dhe ndërhyrjet në zonat e prekura


