Ëndrra për anëtarësimin në Bashkimin Europian është ajo që e ka bërë Shqipërinë të ndryshme nga vendet e tjera që kanë kaluar apo po përballen me tranzicionin. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një diskutimi me përfaqësues të Forumit Ekonomik Botëror, ku iu kërkua të përmblidhte rrugëtimin e Shqipërisë gjatë tranzicionit dhe të evidentonte sfidën më të madhe.
Rama tha se, nëse nuk do të ekzistonte ëndrra për t’u bërë pjesë e familjes europiane, situata do të ishte shumë më e vështirë, në krahasim me vendet e tjera që kanë kaluar nëpër procese të ngjashme.
“Unë besoj se ajo që bën diferencën është ëndrra. Njerëzit në Afganistan iu ofrua një ëndërr, por ata u tradhtuan. Në Irak, njerëzve iu tha se po bombardohemi sepse më pas ju pret një ëndërr. Por kjo nuk ndodhi. Për Mongolinë, nuk e njoh historinë në të njëjtën mënyrë, por e di se asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka pasur ëndrrën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit kanë kaluar nëpër trazicion sepse u është dashur të përballen me luftëra civile, etnike e fetare, dhe tani ndodhen të gjitha në fazën e zhvillimit. Por, nëse Bashkimi Europian nuk do të ishte aty si një ëndërr, gjërat do të ishin më keq se të gjithë ju”, tha Rama.


