Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilëson zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si një prioritet strategjik për Shqipërinë, me synim forcimin e sigurisë kombëtare, rritjen e kapaciteteve teknologjike dhe zhvillimin ekonomik e industrial të vendit.
Në një video-mesazh, Nufi u shpreh se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, ku industria e mbrojtjes nuk shihet më vetëm në funksion të sigurisë, por edhe si një mundësi për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe industrial.
“Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë dhe çdo hap që lidhet më të, mbetet përherë një lajm i mirë për vendin tonë. Përkundër fantazisë, trillimeve dhe akuzave politike të faktorëve që duan të ushqejnë veten dhe të mbijetojnë në rrugën që kanë humbur, sot asgjë nuk e ndal faktin se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një prioritet strategjik për Shqipërinë, prioritet, i cili është në funksion të sigurisë kombëtare, ashtu edhe të angazhimeve tona si një vend anëtar i NATO-s. Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku industria e mbrojtjes nuk e sheh më veten si një çështje e vetme sigurie, por si një mundësi strategjike për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe industrial të vendit”, u shpreh ministri Nufi.
Sipas tij, përmes kompanisë shtetërore KAYO, e themeluar në vitin 2024, po zhvillohen aktualisht gjashtë sipërmarrje të përbashkëta me kompani ndërkombëtare, në kuadër të partneriteteve publike-private. Ndërkohë, 40 mjetet e para të prodhuara në Shqipëri kanë hyrë tashmë në inventarin e Forcave të Armatosura.
“Nëse për shumë vite me radhë, kjo industri u trajtua si një trashëgimi “për t’u shkatërruar”, ne sot po e ndërtojmë dhe fuqizojmë atë me kapacitete drejt së ardhmes. Përmes kompanisë shtetërore KAYO, themeluar në vitin 2024, po ndërtojmë një partneritet me kompani lidere ndërkombëtare. Sot janë në zhvillim gjashtë sipërmarrje të përbashkëta – joint venture, nëpërmjet partneritetit publik-privat, ku KAYO bën pjesë. Në inventarin e Forcave të Armatosura kanë hyrë tashmë 40 mjetet e para të prodhuara dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe prodhimin e municionit të lehtë”, theksoi më tej ministri Nufi.
Ministri u ndal edhe te bashkëpunimi me Fincantieri Albania, veçanërisht në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve shqiptare për prodhimin e mjeteve dhe pajisjeve për nevojat e vendit, si dhe për eksport në vendet aleate.
“Me Fincantieri Albania, falë partneritetit me një lider prestigjioz të prodhimit të anijeve, nuk po blejmë thjesht anije: po fuqizojmë aftësitë shqiptare për të ndërtuar këtu, për të prodhuar për veten dhe për të eksportuar tek vendet e tjera aleate. Pajisjet individuale mbrojtëse, për Forcat e Armatosura dhe institucionet e sigurisë, produkte që deri dje importoheshin, tashmë do të prodhohen në Republikën e Shqipërisë sipas standardit më të lartë ndërkombëtar”, nënvizoi ministri Nufi.
Sipas Nufit, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes nuk duhet të shihet vetëm si një çështje sigurie, por edhe si një mundësi për krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e prodhimit vendas.
“Këto janë vetëm hapat e parë, hapa që pas 17 vitesh si përfituese e sigurisë së Aleancës, Shqipëria po i shndërron gjithnjë e më shumë në hapa konkretë për të qenë kontribuuese e saj faktike. Dhe ky është një fakt që duhet të bëjë krenarë të madh e të vogël; të majtë e të djathtë. Nëse për dekada me radhë, mbrojtja ishte një faturë, sot po ndërtojmë një industri specifike të lidhur më të! Një industri që prodhon siguri, teknologji, kapacitete dhe që gjeneron punësim, edhe këtu në Shqipëri garanton që kemi kapacitetet e duhura për sigurinë e vendit”, përfundoi mesazhin e tij Nufi.


