Një histori e pazakontë është transmetuar në emisionin “Shihemi në gjyq” ku djali kritikonte të ëmën se ishte futur në krizë identiteti për shkak se kishin mbajtur mbiemrin e saj dhe jo të babait që i ishte vrarë në vitin 2010.
Bëhet fjalë për Xhoni Konomin, djalin e Franc Konomit, të njohur ndryshe si pjesë e grupit të “të fortëve të Tiranës” në vitet ‘90. Duke shprehur vuajtjet e tij për shkak se nuk kishte patur një figurë atërore teksa rritej, Xhoni iu drejtua të ëmës Rovena Pojani duke i thënë se nuk e dinte se kush ishin armiqtë dhe njerëzit e afërt të babait të tij të vrarë.
Të njëjtin problem duket se e ka patur edhe e motra, Françeska. Por vetë nëna e tyre Rovena tha se ishte detyruar të vepronte në këtë mënyrë pasi vetë i ndjeri ia kishte kërkuar me qëllim që të ruante fëmijët nga rreziku që mund t’u kanosej për shkak të konflikteve që ai kishte.
Pjesë nga biseda në studio:
Eni Çobani: Më the që jam djali i Franc Konomit, por në fakt ti quhesh Xhoni Pojani.
Xhoni Konomi: Jam krenar për këtë, pa dyshim. Unë e dua mbiemrin tënd (i drejtohet nënës së tij). Patjetër, por unë quhem Xhoni Konomi, babi im ka qenë Konomi. E kupton ti? Ti më the që doje të më mbroje se donin të më vrisnin.
Rovena: Franci kur ka qenë gjallë, ngaqë ashtu ishin situatat atëherë më tha që të ruaj ty se nuk ke lidhje me pjesën e jetës time se ai çdo gjë që e ka bërë e ka bërë jashtë shtëpisë. Unë në brendësi nuk dija asgjë. Më tha Rovi kur të martohemi dua të marr mbiemrin tënd që edhe për fëmijët të jetë më mirë.
Eni Çobani: Ti si e ke ndjerë këtë përjashtim nga familja tjetër?
Xhoni Konomi: Të të pyesja unë ty të mos kesh mundësi të mos identifikohesh me asgjë në jetën tënde, si do ndiheshe ti? Që ti nuk e din se kush është hasmi i babit, kush është i miri i babit, a quhesh dot a nuk quhesh dot çuni i atij. Nuk i kam treguar vuajtjet e mia se nuk kam patur një baba, nuk kam patur një shembull.
Rovena Pojani: Ishalla nuk e ka njeri fatin tim. Unë tani kam filluar të jetoj kur fëmijët u rritën dhe të gjej qetësi në shpirtin tim se bëja dy a tre punë. Nuk kisha kohë të merresha se kush është... unë doja vetëm t’i ruaja. Versus.al

