POLITIKË /

Takimi me banorët e Poliçanit për "Territorialen", Rama: Ndryshon vetëm fakti që nuk do keni më kryebashkiak

Pavarësisht përplasjeve me banorët që bojkotuan mbledhjen, Rama në videon e publikuar ishte përqendruar më së shumti në fjalën e tij.

Shkruar nga Versus

Takimi me banorët e Poliçanit për "Territorialen",

Kryeministri Edi Rama publikoi një video të shkurtër nga takimi me banorët e Poliçanit të cilët e bojkotuan mbledhjen pas përplasjes së Ramës me aktoren Egla Ceno.

Në video, Rama shprehet se asgjë nuk ndryshon në rast se Poliçani shkrihet si bashki përveç faktit që nuk do të ketë më kryebashkiak. 

"Më thoni çfarë mendoni ju se do të dëmtohet në rast se do të bëhet bashki. Kur më thua rruga, e më thua shërbimi, këto nuk ndryshojnë. Nuk do të ikin shërbimet nga Poliçani, nga Dimali ose nga askund. Përkundrazi, këto nuk ndryshojnë. Në raport me çfarë keni, ndryshon vetëm një gjë; nuk do të keni kryetar bashkie të zgjedhur. Nuk ndryshon godina, nuk ndryshon stafi, nuk ndryshon numri i shërbimeve që bëhen, në kuptimin nuk ulet, se duhet shtuar. Ti thua distanca? Ça lidhje ka distanca? Ato shërbime që ti merr sot në Poliçan ose në Dimal, do t’i marrësh po aty. Pra, bashki, qytet, njësi administrative. Dhe qyteti Poliçan, qyteti Dimal do të kenë drejtuesin e tyre, do të kenë këshilltarët e tyre në Këshillin Bashkiak të bashkisë Berat, me kuota.

Më thoni dhe një gjë tjetër, komunat janë më mirë sot apo ishin më mirë kur ishin veç, se këto biseda unë i kam dëgjuar “mot a mot” në kohën e reformës 2015; “do na ikë kjo, do na ikë ajo; jo distanca; ohu, sa larg është Poliçani, ne jemi këtu te komuna jonë; sa larg është qendra e Urës, ne jemi te komuna jonë; ne kemi këtë, kemi atë, kemi kryetarin e komunës...

Ndodhi ndonjë gjë e kësaj natyre? A janë sot, a kanë marrë më shumë investime komunat se ç’bënin më përpara apo kanë marrë më pak? Investimet e komunave nga iu erdhën? Nga vetja? Iu erdhën nga bashkimi", tha Rama mes të tjerash duke mos folur për përplasjet brenda takimit. Versus.al

Poll