Britani e Madhe- Drejtori i një agjencie imobilare që e përdori biznesin për të gjetur ‘’shtëpi bari’’ për trafikantët shqiptarë në Angli, është dënuar me 8 vite burg.
Në total pesë persona u dënuan me mbi 14 vite burg pas zbulimit të rrjetit të sofistikuar që drejtohej nga agjencia imobilare ‘’Condor Estates’’. Hetimi nxori në pah lidhje me kultivimin e kanabisit, kontrata qiraje mashtruese, blerjen e pajisjeve të specializuara hidroponike dhe pastrimin e parave.
Aksioni policor u krye në vitin 2024 në 20 prona; 19 në Luton dhe një në Milton Keynes. Impiante për kultivimin e kanabisit u zbuluan në 19 nga 20 pronat e kontrolluara, ndërsa në pronën e mbetur u gjetën pajisje për rritjen e kanabisit.
Nga pronat u sekuestruan pothuajse 2,000 bimë, me një vlerë deri në 800,000 paund. Vlerësohet se, nëse pronat nuk do të ishin zbuluar, bimët mund të kishin prodhuar kanabis me një vlerë tregu prej më shumë se 2 milionë paundësh brenda vetëm 12 muajve.
Sarfraz Farooq, 46 vjeç, drejtor i "Condor Estates", ishte në krye të rrjetit dhe përgjegjës për një sasi të konsiderueshme dokumentacioni mashtrues, përfshirë dokumentet e përdorura për të krijuar kontrata qiraje false për pronat që përdoreshin për kultivimin e kanabisit.
Farooq përdori shtëpi që u përkisnin pronarëve të ligjshëm, të cilët i besuan agjencisë për të dhënë me qira pronat e tyre në mënyrë të rregullt dhe që morën ato që besonin se ishin kontrata qiraje.
Bashkëpunëtori i tij, Uan Gogu, 42 vjeç, luajti një rol qendror në ngritjen e impianteve të kanabisit. Ai përdori prona të lidhura me Farooq-un dhe organizoi instalimin e pajisjeve të specializuara hidroponike. Ai gjithashtu u përfshi në manipulimin e njehsorëve të energjisë elektrike, duke krijuar rreziqe të konsiderueshme për sigurinë dhe duke shkaktuar zjarre në tri prej pronave.
Të përfshirë ishin gjithashtu Zohaib Riaz Ali, 33 vjeç, i cili ndihmoi operacionin përmes blerjes së pajisjeve hidroponike, ndërsa Mohammed Farooq, 76 vjeç, bleu me para në dorë një pronë që më vonë u zbulua se funksiononte si shtëpi bari. Mes të dënuarve ishte edhe shqiptari Glentjan Sefa, 29 vjeç si pjesë e grupit. Versus.al

