
Presidentja, Albulena Haxhiu, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Vendimi vjen pasi LVV-ja propozoi zyrtarisht Kurtin për kryeministër. Tashmë ai duhet të paraqesë para Kuvendit përbërjen dhe programin e kabinetit të ri dhe të kërkojë votëbesimin e deputetëve.
Vetëvendosje ka deklaruar më herët se disponon 62 vota, një më shumë se minimumi i nevojshëm për formimin e Qeverisë. Sipas partisë, 53 vota vijnë nga deputetët e saj dhe nëntë nga përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Mandatimi i Kurtit vjen në të njëjtën ditë kur u mbyll procesi i konstituimit të Kuvendit. Kujtim Shala i LDK-së u zgjodh nënkryetar me 75 vota, ndërsa nga komunitetet u zgjodhën Emilija Rexhepi dhe Tanja Vujoviq. Posti që i takon PDK-së mbeti i paplotësuar, pasi kjo parti nuk mori pjesë në seancë dhe ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Në këtë situatë, përfaqësues të opozitës kanë ngritur dyshime për një skenar që mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, periudhë kur një pjesë e madhe e diasporës ndodhet në vend. Megjithatë, mbetet për t'u parë edhe qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese ndaj kërkesës që PDK-ja ka paralajmëruar për procesin e konstituimit të Kuvendit./Versus.al


