
Tirana po pret Kampionatin Europian Universitar të Sporteve Luftarake, i cili ka sjellë në Shqipëri rreth 1,600 pjesëmarrës nga 400 universitete dhe 38 vende europiane. Por, përtej garave sportive, vëmendjen e kanë marrë edhe ankesat e disa prej sportistëve për kushtet në të cilat janë akomoduar.
Pjesëmarrës të ardhur nga vende të ndryshme të Europës kanë reaguar për papastërtinë dhe kushtet e papërshtatshme higjieno-sanitare në ambientet ku janë sistemuar gjatë qëndrimit në Tiranë. Pakënaqësia ka shkuar deri aty sa disa prej tyre e kanë krahasuar situatën e hasur me kushtet në Indi.
Ankesat kanë ngritur pikëpyetje mbi organizimin e një aktiviteti ndërkombëtar të këtyre përmasave dhe mbi standardet e ofruara për qindra sportistët e huaj që kanë mbërritur në Shqipëri.
Në këtë kontekst, kritikat drejtohen edhe ndaj ministrit përgjegjës për Sportin, Blendi Gonxhja, për përgjegjësinë institucionale në garantimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e një eventi që synon të promovojë Shqipërinë në arenën sportive europiane.
Një kampionat me pjesëmarrjen e qindra universiteteve është një mundësi jo vetëm për sportin, por edhe për imazhin e vendit. Megjithatë, denoncimet e sportistëve për akomodimin rrezikojnë të lënë në hije garat dhe të kthejnë kushtet e pritjes në një nga temat kryesore të aktivitetit.
Për një event të këtij niveli, organizimi nuk përfundon në arenën e garës. Higjiena, akomodimi dhe trajtimi dinjitoz i sportistëve janë po aq të rëndësishme për mënyrën se si Shqipëria prezantohet përpara të rinjve nga e gjithë Europa.
/Versus.al
Pamje nga qendra ku janë akomoduar sportistët:


