
Detaje të reja po dalin në dritë në Greqi lidhur me vdekjen e këngëtarit të njohur Giorgos Mazonakis.
Sipas një investigimi të publikuar nga Proto Thema, provat dixhitale të sekuestruara nga autoritetet hedhin dritë mbi minutat kritike gjatë procedurës së plazmaferezës dhe veprimet e mjekëve që ndodheshin në klinikë.
Sipas të dhënave të publikuara, Mazonakis mbërriti në klinikën “Stem Cell” në Kolonaki më 9 shtator, në orën 13:55. Të dhënat e rikuperuara nga pajisja tregojnë se procedura e plazmaferezës nisi në 14:14 dhe aparatura qëndroi në funksion për rreth 42 minuta, deri në orën 14:57.
Një nga elementet kryesore të hetimit është një fotografi që, sipas Proto Thema, mjekja Ioanna Gaka i bëri këngëtarit në orën 14:45, kur ai ndodhej pa ndjenja mbi aparaturë.
Fotografia iu dërgua bashkëshortit të saj, mjekut Ilias Theodoropoulos.
Më vonë, rreth orës 19:09 dhe përpara se të shkonte në polici, mjekja e fshiu fotografinë nga telefoni. Megjithatë, hetuesit arritën ta rikuperonin atë.
Sipas kronologjisë së publikuar, pas përkeqësimit të gjendjes së këngëtarit u aplikuan adrenalinë dhe reanimim kardiopulmonar.
Telefonata drejt shërbimit të urgjencës EKAB u bë në 16:21, ndërsa ambulanca e transportoi Mazonakis drejt spitalit “Elpis”. Në 17:40 u konstatua vdekja e tij.
Çështja është komplikuar më tej nga deklaratat e përfaqësuesve të Shoqatës Mjekësore të Athinës.
Sipas Proto Thema, një anëtare e ekipit që kishte inspektuar më parë klinikën deklaroi se gjatë kontrolleve nuk ishte konstatuar një pajisje plazmafereze dhe pretendoi se institucioni ishte keqinformuar lidhur me pajisjet që përdoreshin në ambientet e klinikës.
Hetimet tashmë janë përqendruar te rindërtimi minutë pas minute i ngjarjes, procedura mjekësore që iu krye këngëtarit dhe veprimet e personave që ndodheshin pranë tij në momentet kritike./Versus.al

