
Një aksident tragjik në Kroaci i ka marrë jetën 28-vjeçarit shqiptar Amarildo Tafaj, i cili ishte rritur në Durrës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 7 shtatorit 2026, rreth orës 00:55, në zonën e Marinës, përgjatë rrugës shtetërore D8, pjesë e autostradës së Adriatikut.
Sipas informacioneve të raportuara, furgoni me të cilin udhëtonte 28-vjeçari doli nga rruga në rrethana që mbeten ende për t’u sqaruar. Tafaj ishte i vetëm në automjet dhe, për shkak të plagëve të rënda të marra, nuk mundi të mbijetonte.
Humbja e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe mes familjarëve, miqve dhe njerëzve që e njihnin. Amarildo ishte rritur vetëm nga nëna e tij dhe, sipas të afërmve, jeta e tij kishte qenë e mbushur me sakrifica dhe punë.
Ata e kujtojnë si një djalë zemërmirë, familjar dhe veçanërisht të përkushtuar ndaj nënës së tij, së cilës përpiqej t’i qëndronte gjithmonë pranë dhe ta mbështeste.
Vdekja e papritur e 28-vjeçarit ka lënë pas një familje të pikëlluar dhe miq që sot e kujtojnë për mirësinë dhe përkushtimin ndaj njerëzve të tij./Versus.al

