POLITIKË /

Konstituohet Kuvendi i Kosovës pa nënkryetarin e PDK-së, votohet një kandidate e Listës Serbe

Shkruar nga Versus

Konstituohet Kuvendi i Kosovës pa nënkryetarin e PDK-së, votohet

Kuvendi i Kosovës është konstituuar, pavarësisht mungesës së PDK-së dhe tërheqjes së kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi të përfunduar procesin pasi u zgjodhën kandidatët e tjerë për nënkryetarë.

Kujtim Shala i LDK-së u zgjodh nënkryetar me 75 vota, ndërsa nga komunitetet joshumicë u zgjodhën Emilija Rexhepi dhe deputetja serbe Tanja Vujoviq.

Kjo e fundit mori edhe votat e LVV-së pas tetë kandidaturave të dështuara të Listës Serbe.

Zhvillimi erdhi pasi LVV ndryshoi qëndrim, duke deklaruar se do t'i mbështeste kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë.

Deputetët e LVV-së argumentuan se vendimi synonte zhbllokimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të katërta parlamentare brenda dy vjetëve.

Megjithatë, përfaqësues të opozitës kanë ngritur dyshime se zvarritja mund të lidhet me një skenar për zgjedhje të reja më 27 dhjetor, periudhë kur një pjesë e madhe e diasporës ndodhet në Kosovë.

LVV kishte marrë në zgjedhjet e qershorit rreth 73% të votave me postë dhe 83% të votave në përfaqësitë diplomatike, kundrejt rreth 43% të votave të qytetarëve rezidentë.

Ndërkohë, PDK ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit dhe nuk mori pjesë në seancë. Me përfundimin e konstituimit, beteja politike zhvendoset te formimi i institucioneve dhe veçanërisht te zgjedhja e presidentit, për të cilën LVV nuk i ka e vetme votat e nevojshme./Versus.al

Poll