
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për pagat e gjyqtarëve, duke publikuar këtë herë një tabelë krahasuese me pagat mujore bruto të një gjyqtari fillestar në Shqipëri dhe në disa vende të rajonit.
Sipas tabelës së publikuar nga Rama, një gjyqtar fillestar në Shqipëri paguhet aktualisht 3,241 euro bruto në muaj, duke e renditur vendin në pozicionin e dytë mes 10 vendeve të krahasuara. Në vendin e parë ndodhet Rumania me 3,665 euro, ndërsa Greqia renditet e katërta me 2,702 euro.
Rama pretendon se, nëse zbatohet rritja për të cilën ai ka kundërshtuar publikisht vendimin e gjyqësorit, paga e gjyqtarit fillestar në Shqipëri do të shkonte në 4,886 euro bruto në muaj, ose rreth 50.8% më shumë se niveli aktual. Me këtë shumë, Shqipëria do të kalonte në vendin e parë të renditjes së paraqitur në grafik.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 euro pagë më të lartë se kolegu në Greqi dhe, me vendimin e marrë vetë Zot, vetë Shkop, paga duhet të rritet 2,000 euro më shumë në muaj se kolegu grek dhe 3,000 euro më shumë se kolegu në Malin e Zi”, shkruan Rama./Versus.al
Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi… pic.twitter.com/WjIDLYJ88V
— Edi Rama (@ediramaal) September 13, 2026

