
Hetimet e autoriteteve greke ndaj Lulzim Cakës, të arrestuar në kuadër të operacionit “Lulet e së keqes”, kanë çuar në zbulimin e një tjetër sasie të konsiderueshme kokaine.
Gjatë një kontrolli të ri në banesën e Cakës në Greqi janë gjetur dhe sekuestruar 26 kilogramë kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur në një hapësirë të posaçme poshtë dyshemesë, e cila dyshohet se përdorej si vend magazinimi.
Zbulimi vjen pas arrestimit të Cakës së bashku me të birin në një vilë në Marathona. Në kontrollet e mëparshme, autoritetet kishin sekuestruar edhe 2 kilogramë kokainë, kimikate dhe pajisje për paketimin e drogës, një pistoletë dhe një automjet luksoz.
Caka është identifikuar nga raportimet shqiptare si personi i dyshuar për rol drejtues në grupin kriminal të goditur pas sekuestrimit të 84 kilogramëve kokainë të ardhur nga Kolumbia, të kamufluar brenda kërcellëve plastikë të trëndafilave.
Me sasinë e re të zbuluar, hetimet ndaj grupit vijojnë, ndërsa autoritetet greke po kontrollojnë pronat dhe lidhjet e personave të arrestuar për të zbuluar nëse ekzistojnë të tjera vende ku mund të jetë fshehur lëndë narkotike./Versus.al


