Elbasani po përballet me pasojat e stuhisë së fuqishme që goditi qytetin dhe disa zona të bashkisë gjatë së shtunës, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave paraprake të Bashkisë Elbasan, brenda vetëm 30 minutave ranë rreth 60 milimetra shi.
Intensiteti i lartë i reshjeve bëri që uji të depërtonte në rreth 30 banesa dhe 20 bodrume, duke detyruar ekipet e emergjencave të ndërhynin me pompa për largimin e tij.
Probleme të mëdha u regjistruan edhe në parkimet nëntokësore, ku dhjetëra automjete pësuan dëmtime për shkak të nivelit të lartë të ujit.
Furia e motit rrëzoi gjithashtu 10 pemë, disa prej të cilave bllokuan përkohësisht rrugët. Shërbimet publike ndërhynë për largimin e tyre dhe rikthimin e qarkullimit.
Pasojat u ndjenë edhe jashtë qytetit. Prurjet e krijuara nga reshjet sollën dëmtime dhe vështirësi në disa rrugë rurale dhe njësi administrative, ndërsa në zona të caktuara të qarkut u raportuan edhe toka bujqësore të përmbytura.
Gjatë së dielës vijon puna për pastrimin e zonave të prekura dhe evidentimin e plotë të dëmeve. Pavarësisht situatës së krijuar, deri tani nuk raportohet për persona të lënduar./Versus.al

