web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shuhen vatrat e zjarrit në të gjithë vendin

13 Shtator 2026, 10:37, Aktualitet CNA

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim të situatës së zjarreve në të gjithë vendin. Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 10 vatra zjarri, të cilat janë shuar plotësisht. Aktualisht nuk ka vatra aktive dhe as vatra nën mbikëqyrje.

Në Qarkun Lezhë, vatra në fshatin Gallatë, Bashkia Kurbin, e ardhur nga territori i Bashkisë Mat, rezulton e fikur.

Në Qarkun Elbasan, zjarri në Librazhd Katund, i cili preku bimësi me pisha, është shuar.

Në Qarkun Gjirokastër, vatra në Bularat, Bashkia Dropull, është shuar pas angazhimit të strukturave vendore, policore dhe të Forcave të Armatosura. Në operacion u përfshinë 18 efektivë të MZSH me 3 mjete zjarrfikëse, 8 forca bashkiake, 10 forca policore, si dhe 27 efektivë të FA me 3 mjete dhe 1 ambulancë.

Në Qarkun Dibër, janë shuar vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë. Për operacionet janë angazhuar forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, bashkive dhe vullnetarë.

Në Qarkun Fier, janë shuar vatrat në Bitaj, Bashkia Lushnje, dhe Rërës, Bashkia Patos.

Për menaxhimin dhe shuarjen e vatrave janë angazhuar në total 174 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 27 efektivë, 3 mjete dhe 1 ambulancë. /CNA





Lajmet e fundit nga