web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çmimi i naftës/ Braçe “godet” Ramën: Duhet të jesh pa sy e mendje për të mos kontrolluar taksat

13 Shtator 2026, 19:34, Politikë CNA

Çmimi i naftës/ Braçe “godet” Ramën: Duhet

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj situatës me çmimin e naftës në vend, krahasimisht me vendet e rajonit.

Përmes një video-postimi në rrjetet e tij sociale, Braçe thekson se një nga shkaktarët është edhe taksa e qarkullimit e përfshirë te ky produkt, ndërsa bën thirrje që të rishikohet nga ana strukturore.

 “Nafta 229 lekë,
nuk është thjesht një produkt dhe një çmim,
i rritur nga dje me 10 lekë!
Cent më cent është 2.48 EURO!

Fakt është që secili nga vendet kufitare me ne nuk ka ndryshuar çmimin dje dhe as sot:
Mali i Zi ka një çmim prej 1.87 EURO, Kosova ka një çmim prej 1.76-1.85 EURO, Maqedonia ka një çmim prej 1.64 EURO.

Po e përsëris, këto janë çmime që nuk janë ndryshuar dje, as sot!

Patjetër që do pyes: çfarë po ndodh?; për më tepër që Kosova furnizohet nga të njëjtët shitës që na shesin ne.

Dy gjëra dua të them e po ua them çdo aktori që monitoron tregun, garanton konkurrencën e lirë dhe bën politikën fiskale;

E para, një herë të vetme duhet të merreni seriozisht me modelin e tregut; kemi përfunduar të kemi vetëm një furnizues-shitës nga nis çmimi, BRITISH PETROLEUM, i shtrenjtë; kemi përfunduar të kemi vetëm një port; kemi vetëm një marrëveshje deri tani të panjohur veçanërisht për të parë se si ndahet përfitimi nga blerjet në avancë dhe risku po prej tyre; kemi dy aktivitete, i pari i depozitimit dhe shitjes ditore në kompanitë shqiptare dhe i dyti anije në anije në det në territorin shqiptar (përsëri marrëveshje e panjohur dhe ndarja e përfitimeve përsëri e tillë); pra, në të gjithë operacionin tregtar kemi vetëm një-dy operatorë!

E dyta, është momenti për të parë strukturën e taksave e tarifave të futura brenda çmimit të naftës, duke filluar nga ato që nuk kanë lidhje me çmimin por me taksa e tarifa për të cilat shteti ka institucione që paguhen shtrenjtë; duke nisur nga taksa e qarkullimit, për të vijuar me tarifa shërbimesh pa asnjë lidhje me çmimin!

Duhet bërë tani;
Duhet të jesh pa sy e mendje për të parë e kuptuar që vetëm nga eliminimi i tregtisë dhe kontrabandës me fqinjët, do fitohet shumë më tepër se sa nga ky çmim!/CNA 

 





Lajmet e fundit nga